Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Putini nuk e respekton më lidershipin amerikan


Presidenti rus Vladimir Putin nuk e respekton më lidershipin amerikan dhe e demonstron këtë mungesë respekti duke folur për armët bërthamore “gjatë gjithë kohës”. Kështu është ankuar ditën e dielë ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Gjatë një tubimi në Nebraska, Trump tha se ndryshe nga administrata e Joe Biden, nën udhëheqjen e tij “Amerika ishte e fortë, Amerika respektohej, si kurrë më parë”.

“Tani liderët e vendeve të tjera nuk ia kthejnë as telefonatat Presidentit të Shteteve të Bashkuara.”- tha ai, me sa duket duke iu referuar raporteve të muajit mars se liderët e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe refuzuan të organizojnë telefonata me Bidenin për të diskutuar rritjen e çmimeve të naftës.

Trump tha se Biden “nuk e ka idenë se çfarë po ndodh”, duke iu referuar një incidenti të kohëve të fundit ku presidenti 79-vjeçar dukej se i ofroi një shtrëngim duarsh një personi që nuk ndodhej në skenë gjatë një eventi. Trump shtoi se Putini nga ana tjetër, “flet për armët bërthamore gjatë gjithë kohës”.

Trump pretendoi se askush “asnjëherë nuk ka folur për armët bërthamore” më parë. “Ju nuk flisni për armë bërthamore, thjesht nuk flisni për to, është shumë shkatërruese.”- tha Trump, duke theksuar gjithashtu se administrata e tij “rindërtoi plotësisht” arsenalin e saj bërthamor sepse “të tjerët” po bënin të njëjtën gjë.

Ish-presidenti shtoi se Putini flet për këtë tani vetëm “sepse ai nuk respekton” udhëheqjen amerikane.