Vendosni fjalën kyçe....

Demokratët i vërsulen Gjykatës së Lartë mbi draftin kundër abortit: E neverishme, grave po u hiqet autonomia trupore


Demokratët i kërkuan Kongresit të miratonte një projektligj që kodifikon abortin në përgjigje të draftit të supozuar të një opinioni të ardhshëm të Gjykatës së Lartë që godet precedentin e 1973 mbi abortin.

Drafti, të cilin Gjykata kundërshtoi ta konfirmonte ose mohonte dhe që duket se daton në shkurt, do të ndryshonte precedentin ‘Roe kundër Wade (1973)’ dhe do t’i lejonte shtetet të bënin ligjet e tyre për çështjen e ashpër të abortit. Meqenëse ky është një draft, i raportuar nga Politico, dhe jo një opinion i nënshkruar zyrtar, ‘Roe kundër Wade’ mbetet ende në fuqi.

“Nëse raporti është i saktë, Gjykata e Lartë është e gatshme të shkaktojë kufizimin më të madh të të drejtave në pesëdhjetë vitet e fundit, jo vetëm për gratë, por për të gjithë amerikanët.” – thanë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati tjetër Chuck Schumer, në një deklaratë të përbashkët të hënën.

“Votat e raportuara të gjyqtarëve të emëruar nga republikanët për të përmbysur ‘Roe kundër Wade’ do të konsideroheshin të neveritshme, një nga vendimet më të këqija dhe më të dëmshme në historinë moderne.” – shtuan Pelosi dhe Schumer.

“Disa nga këta gjyqtarë konservatorë, të cilët në asnjë mënyrë nuk janë përgjegjës para popullit amerikan, kanë gënjyer Senatin e SHBA-së, kanë grisur Kushtetutën dhe kanë përdhosur precedentin dhe reputacionin e Gjykatës së Lartë, të gjitha në kurriz të dhjetëra miliona grave që së shpejti mund t’u hiqet autonomia e tyre trupore dhe të drejtat kushtetuese në të cilat ata janë mbështetur për gjysmë shekulli.” – vazhduan ata.

“Kongresi duhet të miratojë legjislacionin që kodifikon ‘Roe kundër Wade’ si ligjin e vendit në SHBA tani.” – tha Senatori Bernie Sanders, një i pavarur që merr pjesë me demokratët.

Kongresmenia demokrate Alexandria Ocasio-Cortez, gjithashtu bëri thirrje për një ligj që kodifikonte Roe ‘kundër Wade’, duke fajësuar Senatorin Joe Manchin, për bllokimin e lëvizjes.

“Siç e kemi paralajmëruar, Gjykata e Lartë nuk po merr vendim vetëm për abort, ajo po vendos mbi të drejtën e privatësisë mbi të cilën mbështetet precedenti ‘Roe kundër Wade’, e cila përfshin martesën e homoseksualëve dhe të drejtat civile.” – shkroi Ocasio-Cortez.

Hillary Clinton, kandidatja demokrate në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe ish-Sekretare e Shtetit, e quajti draft opinionin e pakonfirmuar si ‘mizor’.

“Nuk është për t’u habitur. Por është mizore.” – shkroi ajo në Twitter.

“Ky vendim është një sulm i drejtpërdrejtë mbi dinjitetin, të drejtat dhe jetën e grave, për të mos përmendur dekadat e ligjit të vendosur. Ai do të vrasë dhe nënshtrojë gratë edhe pasi shumica dërrmuese e amerikanëve mendojnë se aborti duhet të jetë i ligjshëm. Çfarë turpi.”

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Fox News

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani