Banorët e Kodrës së Priftit në Tiranë kanë zhvilluar sot një protestë kundër prishjes së banesave për shkak të shmangies së Lotit 4 të Unazës së Madhe.
Ata kanë kërkuar qartësi mbi atë që pritet të ndodhë teksa Bashkia Tiranë e ARRSH-ja u kanë premtuar më herët se banesat e tyre do legalizohen e nuk do prishen.
Sipas banorëve, qeveria nuk pranon që segmenti rrugor të devijohet në atë truall bosh pasi është në pronësi të një oligarku.
“Këtu kemi një tokë bosh. Nuk kemi ne pse të kërkojmë dëmshpërblimin, kur këtu ka një tokë bosh. Apo është e një oligarku ajo dhe nuk e prekin dot. Ne kemi shtëpinë tonë. Të dëmshpërblejë këto 7 shtëpi dhe të devijohet rruga.” – tha njëri nga qytetarët protestues.
Ndërsa një tjetër banor tha se atyre u ishte premtuar që banesat e tyre nuk do prekeshin duke theksuar se qeveria e bashkia nuk duhet të presin më vota nga banorët e zonës.
“Unë e kam blerë tokën me lekë edhe nuk e mora kështu, por e mora në atë gropën atje. Shpirti im e di si. Menduam se do legalizoheshim edhe ne dhe ikën 22 vite pa u legalizuar. Më vjen keq që dëgjova Veliajn që tha se sa të jem unë dhe Rama, rrugët nuk ndryshojnë. Po mire, kur ia dhamë votën i pëlqeu atij? E mori çunin të mbledhë njerëzit. Na premtoi me garanci se do të dëmshpërbleheni, ua jap me garanci. Vota nga ne nuk presin më. Edhe kalamajtë që janë kokë e këmbe më Edi Ramën, mos ta votojnë!” – theksoi ai.