Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri ka të drejtë


Nga Rezearta Çaushaj

Nuk ka asnjë gazetar që ka frikë se do të dhunohet apo vritet, për shkak të punës, në Shqipëri. Nuk ndodh!

Dhe nuk ka përse të ndodh.

Gazetarët censurohen, vetcensurohen dhe qeveria kontrollon gjithë habitatin mediatik, nga pronarët, redaktorët, kolegët agjent sigurimi, grantet që marrin e deri te kontratat fiktive të punës.

I ka “blerë” pronarët me kontrata publike e leje ndërtimi dhe, që të mbrojnë interesat e tyre, këta të fundit duhet të mbrojnë qeverinë.

Duke gëzuar mbrojtjen e qeverisë, ndjehen të lirë të bëjnë si inspektor e të vendosin edhe gjoba.

Pjesa tjetër janë media partiake opozitare, me resurse të mjaftueshme, por që mund të vijnë nga të njëjtat burime si ato të qeverisë e një pjesë të paaftë për të përcjell një pluralizëm qasjesh, duke pasuruar argumentet e tyre.

Disa media “të pavarura” janë të varura nga politikat e donatorit të huaj, i cili nuk do ta prekësh as reformën në drejtësi, as qëndrimet arbitrare të përfaqësive të huaja.

Donatorët me agjenda janë edhe kryesisht të majtë, so you know the drill…

Për të thithur fondet media e pavarur, i duhet një ekip profesionist për menaxhimin e projekteve në dispozicion, që të aplikojë për projektin, ta zbatojë dhe të mbushë gjithë letrat që donatorët duan sepse edhe punën e tyre duan që ta bësh ti.

Ekipin nuk e ke, kështu që handrohesh si të mundesh me stafin që ke.

Po ashtu, e mira do ishte që atë investigimin ta kishe kryer, para se të kërkosh financim. Taksirat!

Mediat e pavarura janë ndër më cilësoret që kemi (për tema të tjera), hands down.

Kemi media me nivel të mirë gazetarie, ofrojnë zëra me autoritet në shoqëri, jo sharlatanë si ca media kombëtare, por që zotërohen çik nga oligarkë.

Këta janë po aq të mirë për të mbajtur larg publikut çdo temë që cek pronarët e tyre.

Sigurisht, ti mund të jesh edhe në listë të zezë nga ambasadat, shumica e të cilave as nuk denjojnë të të kthejnë përgjigje me e-mail, kur interesohesh mbi fonde për mediat (TRUE STORY!).

Nëse ekziston edhe thjesht mundësia që të krijohen media me integritet, i kërcënojmë me atë ligjin pending Anti-Shpifje.

Nëse ka ministra që kanë krijuar lidhje me media, u krijojmë Agjencinë për Media dhe Informim.

Edhe kontrollojmë konkurrentët brenda partisë, edhe sigurohemi që Ben Ahmetaj të jetë 50 m larg Ambrozia Metës kur del në konferencë për shtyp vetëm për të thënë “Përgjegjësia është individuale!”.

1 gurë, 2 zogj.

Një tjetër mënyrë censure është mbingopja e tregut me portale të panjohura, që peshkojnë klikime dhe mund të përdoren për shpërndarje të shpejtë të propagandës nga qeveria.

Ka media kombëtare, që bëjnë emisione rozë për t’i bërë zyrtarët e qeverisë simpatik (Hello Peter Pani!), portale show-bizi që i bëjnë me stil reklamë grave ministresha apo ca portale që shfrytëzojnë opozitarizmin për gjoba.

Ka kolegë që, me këmbëngulje, i menaxhojnë në mënyrë të admirueshme këto kufizime.

Ka edhe plotë ngjyrime e nuanca të tjera në mes të mjedisit mediatik në Shqipëri, por mungesa e lirisë është emërues i përbashkët për shumicën absolute të tyre. Oazët e lirisë e kanë oksigjenin e pakët.

Gazetarët në Shqipëri janë gardian të burgut të tyre.