Perëndimi duhet të ndalojë dërgimin e armëve në Ukrainë, i tha presidenti rus Vladimir Putin homologut të tij francez Emmanuel Macron në një bisedë telefonike sot, raporton Kremlini.
Putin tha në një deklaratë se “Perëndimi mund t’i japë fund tmerreve duke ndikuar në mënyrë adekuate mbi autoritetet në Kiev, si dhe duke pezulluar furnizimet me armë për Ukrainën”.
Putin ka akuzuar forcat ukrainase për kryerjen e krimeve të luftës që Bashkimi Evropian “i injoron”.
Presidenti rus shtoi se “me gjithë inkoherencën dhe mungesën e gatishmërisë së Kievit për punë serioze, pala ruse është gjithmonë e hapur për dialog” për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të Francës për sigurinë botërore të furnizimit me ushqime, Putin tha se “situata është e komplikuar, kryesisht për shkak të sanksioneve nga vendet perëndimore”, thuhet në deklaratë.
Putin nënshkroi sot një dekret mbi sanksionet ekonomike hakmarrëse në përgjigje të “aktiviteteve armiqësore nga disa shtete të huaja dhe organizata ndërkombëtare”.
Marrëdhëniet midis Francës dhe Rusisë janë acaruar nga pushtimi rus i Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt. Megjithatë, pavarësisht tensioneve, Macron foli me Putinin disa herë, para dhe pas pushtimit, në një përpjekje të pasuksesshme për të gjetur një zgjidhje.