Presidenti rus Vladimir Putin prezantoi një paketë masash ekonomike për t’u kundërpërgjigjur ndaj sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës.
Në faqen e internetit të Kremlinit thuhet se dekreti i ri synon të mbrojë interesat kombëtare të Rusisë dhe u miratua “në lidhje me veprimet jomiqësore të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj që shkelin ligjin ndërkombëtar dhe synojnë të privojnë në mënyrë të paligjshme Federatën Ruse dhe subjektet juridike ruse nga prona e tyre.”
Putini i dha Kabinetit të Ministrave 10 ditë për të përcaktuar listën e personave që do të vendosen nën sanksionet reciproke.
Masat e reja ndalojnë agjencitë qeveritare, organizatat dhe individët që të “kryejnë transaksione (përfshirë nënshkrimin e kontratave të tregtisë së jashtme) me persona juridikë, individë dhe organizata” në listën e re të zezë.
Dekreti gjithashtu ndalon eksportin e produkteve dhe lëndëve të para nëse ato janë të destinuara për persona të sanksionuar.
Subjektet dhe personat rusë janë gjithashtu të ndaluar të përmbushin detyrimet e tyre dhe të kryejnë transaksione financiare me kompanitë dhe individët e sanksionuar.
Kjo lëvizje e Putinit vjen pasi SHBA dhe BE vendosën disa raunde sanksionesh ekonomike të paprecedenta ndaj Rusisë për shkak të aksionit ushtarak në Ukrainë. Asetet e Bankës Qendrore Ruse dhe entiteteve dhe biznesmenëve të tjerë të ndryshëm u ngrinë jashtë vendit, vendi u shkëput nga tregjet e parasë të dominuara nga dollari dhe euro, dhe një grup i gjerë biznesesh të huaja ndaluan marrëdhëniet me vendin.