Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i ‘Reporterëve pa kufij’, Meta: Institucione për rregullimin e medias krejt të kapura politikisht, është rritur dhuna e policisë ndaj gazetarëve


Presidenti Meta ka reaguar pas raportit të organizatës ‘Reporterët pa kufij’ për rënien e lirisë së shtypi në Shqipëri.

Në një shënim në Facebook, kreu i shtetit shkruan se shumica e gazetarëve në vend janë ende pa kontrata pune e sigurime të rregullta, janë të keqpaguar e punojnë me orare të zgjatura.

Po kështu ai thekson se institucionet që duhet të merren me mirëfunksionimin e mediave janë krejt të politizuara, gjë që ka çuar ne censurë e autocensurë redaksionale.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vlerësoj dhe respektoj punën dhe përpjekjet e çdo gazetari kurajoz dhe media të pavarur në vend, për informim të drejtë dhe të paanshëm, mbështetur mbi fakte dhe prova. Një media e lirë, e pavarur dhe e përgjegjshme është thelbësore për çdo demokraci funksionale dhe të qëndrueshme. Por kur shumica e gazetarëve vijojnë të jenë pa kontrata pune dhe sigurime të rregullta, të keqpaguar, të detyruar të punojnë me orare të stërzgjatura dhe në kushte aspak dinjitoze, si dhe kur institucionet e ngarkuara për mirëfunksionimin dhe rregullimin e medias publike janë tërësisht të politizuara, atëhere autocensura dhe censura redaktoriale janë të pashmangshme.” – shkruan Meta.

Ai vijon më tej duke vërejtur se kushtet e lartpërmendura kanë çuar në ndikimin politik të mediave, përcaktimin e linjave editoriale e përhapjes së qëllimshme të dezinformimit si dhe shtimin e dhunës së policisë ndaj gazetarëve.

“Kjo i krijon terren kontrollit dhe ndikimit politik të mediave, nëpërmjet përcaktimit të linjave editoriale dhe përhapjes së dizinformacioneve të qëllimshme, që diktohen nga burime të errëta financimi, presioni dhe shantazhi qeveritar, me qëllim final centralizim të informacionit dhe forcim të autoritarizmit. Nuk është rastësi që vit pas viti janë rritur edhe aktet e dhunës policore, ndalimet pa shkak, kërcënimet, shantazhet dhe fyerjet publike ndaj reporterëve shqiptarë. Gjuha e presionit, denigrimit, frikësimit deri dhe urrejtjes ndaj gazetarisë si profesion, gazetarit si individ apo vetë komunitetit të medias në tërësi, përbën kërcënim serioz për të gjithë shoqërinë dhe rendin demokratik.” – shton Meta.

Më tej presidenti shkruan se rënia me 20 vende e Shqipërisë në listën e ‘Gazetarëve pa kufij’ ka bërë që vendi të lërë pas edhe rajone në luftë apo ato me tensione të forta shoqërore.

“Ndaj edhe Shqipëria, sipas raportit më të fundit të “Reporterëve pa Kufij” ka rënë frikshëm me 20 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, duke u renditur e fundit dhe lënë pas edhe vende të sapo dala nga lufta dhe ku ka patur tensione të forta sociale. Siç evidenton dhe ky raport “gazetarët në Shqipëri vijojnë të përballen me presione politike që u përkeqësuan në vitin 2021 nga përpjekjet për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe pandemisë Covid-19. Klasa politike kërcënon pavarësinë e redaksive nëpërmjet institucioneve shumë të politizuara të rregullimit të medias dhe menaxhimit të medias publike. Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme të rregullta politike që synojnë t’i diskreditojnë, si dhe kanë vështirësi në aksesin e informacionit publik”.” – vijon Meta.

Në fund presidenti u ka bërë thirrje gazetarëve që të organizohen e të kenë një qëndrim më të bashkuar ndaj çështjeve të pronësisë së medias apo ndarjeve politike.

Po kështu Meta thekson se rikthimi i lirisë së mediave do i shërbejë transparencës e llogaridhënies në çdo nivel.

“Në kushtet kur dhe organizatat lokale të mbrojtjes së reporterëve janë pothuajse inekzistente, pjesërisht apo tërësisht të kapura, vetë gazetarët duhet të organizohen, të kenë një qëndrim më të unifikuar, të jenë më transparentë ndaj çështjeve të pronësisë së medias dhe ndarjeve politike, por më e rëndësishmja të mos presin që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet klienteliste. Rikthimi i lirisë së mediave do t’i shërbejë  jo vetëm transparencës por llogaridhënies në çdo nivel. Media e lirë, e pavarur dhe në shërbim të interesit më të lartë publik, është një qëllim për të cilin duhet të përpiqemi dhe të bashkëpunojmë të gjithë.” – mbyll shënimin Meta.