Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ervis Berberi ka folur për situatën e krijuar në zonën e Rinasit ku projekti i rrugës së re kufizon lëvizjet e banorëve të zonës të cilët janë ngritur dhe në protestë.
Në një deklaratë për mediet, Berberi shpjegoi vendimin e marrë për lëvizjen me një sens për të mos vonuar ata që përdorin aeroportin.
Ai deklaroi se ka disa rrugica në zonë që mund të përdoren nga komuniteti për të lehtësuar lëvizjen, ndërsa theksoi se kjo është vetëm një zgjidhje provizore.
“Me ndryshimin e sensit të lëvizjes nga Kashari në drejtim të Rinasit dhe nga Rinasi në Ahmetaq kem bërë një zgjidhje të mirë për qytetarët që përdorin aeroportin. Ai është porta hyrëse dhe dalëse e qytetarëve nga Shqipëria, nga ajri. Kemi marrë një zgjidhje për një sens lëvizje me një drejtim për të mos vonuar këdo që përdor aeroportin. Kemi pasur disa problematika për banorët e asaj zone.
Segmenti në drejtim të Ahmetaqit ka një sens lëvizje nga rreth rrotullimi në Ahmetaq, por ka disa rrugica që mund të përdoren nga komuniteti. Një nga rastet është rruga e xhamisë që mund të përdoret si unazë e vogël. Kemi një segment tjetër që lidh zonën e Ahmetaq-Prezës me fshatin e Rinasit nga rruga Fushë Krujë-Vorë dhe kemi edhe rrugën në drejtim të Kamzës ku mund të përdoret rruga e Valiasit.
Kjo është një zgjidhje provizore. Jemi duke i dhënë një zgjidhje që të kemi një rrugë tjetër që të na çojë në aeroport. Shpresoj që brenda muajit korrik të kemi në përfundim këtë segment.
Ky vendim është marrë në një studim të thellë të bërë, Banorët e zonës kanë problemet e tyre por kanë një zgjidhje. Mund të kryejnë një lëvizje me 2-3 km më tepër, por një lëvizje e llogaritur. Pra në një raport të madh është bërë një zgjidhje teknike për të mos dëmtuar ata që do na sjellin të ardhura shtesë në Republikën e Shqipërisë.”– tha Berberi.
Kreu i ARRSH-së theksoi se në fund të sezonit veror është menduar që zgjidhje përfundimtare të jetë krijimi i një rruge të re në zonën e ish-repartit ushtarak që të nxjerr në aeroportin e Rinasit.
“Kjo situatë është marrë masa duke qenë se jemi para sezonit. Kemi fluks të shtuar. Janë shtuar linjat që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria. Kemi pritshmëri që të shtohen me 30% me tepër fluksi në këtë zonë. Kemi marrë përsipër që në fund të sezonit veror të kemi një zgjidhje përfundimtare që të marrin fund edhe problemet për banorët. Plani nuk është zgjerimi i rrugës. Një nga opsionet është krijimi i një rruge të re nga ish-reparti ushtarak që del direkt në Aeroport. Brenda sezonit të verës mbaron edhe kjo rrugë.
Ky sezon veror kalon me problematika të vogla për banorët e zonës. Kujtdo i ndodh që në një moment të caktuar na ndryshon mënyra e jetesës. Duke parë të mirën e përbashkët dhe të mirën që do na sjellin turistët do ishte mirë që këta banorë të na kuptonin. Nuk janë pa asnjë mundësi qarkullimi këta banorë. Kanë dy tre rrugica në lagje për të funksionuar brenda për brenda.”– deklaroi ai.