Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Rinasit në ditën e protestës, bllokojnë rrethrrotullimin e aeroportit


Banorët e Rinasit, kanë dalë sërish në protestë pas bërjes me një sens të rrugës Qafë Kashar-Rinas, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Banorët kanë bllokuar rreth rrotullimin pranë aeroportit duke thënë se rruga i bllokon komunikimin me shkollën dhe me punën e tyre të përditshme.

Ata shprehen se për të dërguar fëmijët në shkollë tani u duhen 2 orë kohë, ndërsa shtojnë se kanë të pamundur aksesimin e qendrave mjekësore, marketeve apo dhe varrezave.

Sot është dita e tretë e protestës të banorëve të Rinasit. Ndërsa ditën e sotme i janë bashkuar edhe fëmijë të shkollës të cilët janë ulur këmbëkryq në rrugë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, përmes një njoftimi ka bërë me dije se qytetarët duke filluar nga 1 Maji për të shkuar në Rinas do të duhet që të përdorin vetëm një sens të lëvizjes.

Ndër të tjera theksohet se për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Ndërsa mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.