Bashkimi Evropian pritet të vendosë sanksione ndaj naftës ruse të mërkurën pasi ushtria goditi objektivat në Ukrainën lindore, duke gjuajtur me raketa në një fabrikë çeliku që është pika e fundit e rezistencës në qytetin port të Mariupol.
Dhjetëra të evakuuar që arritën të largoheshin nga qyteti nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq arritën në sigurinë relative të Zaporizhia-s të kontrolluar nga Ukraina të martën pasi u strukën për javë të tëra në bunkerë nën fabrikën e madhe të çelikut Azovstal, raporton Reuters.
Rusia po synon Mariupolin teksa kërkon të shkëputë Ukrainën nga Deti i Zi dhe të lidhë territorin e kontrolluar nga Rusia në jug dhe lindje. Pjesë të rajoneve lindore të Donetskut dhe Luhanskut mbaheshin nga separatistët e mbështetur nga Rusia përpara se Presidenti Vladimir Putin të niste pushtimin e 24 shkurtit.
Më shumë se 200 civilë mbeten në uzinë, sipas kryetarit të bashkisë së Mariupol, Vadym Boichenko, me 100,000 civilë ende në qytet.
E goditur nga sanksionet perëndimore, Rusia tani do përballet me masa të reja nga BE që do të synojnë bankat dhe industrinë e saj të naftës – një hap i madh për vendet evropiane që mbështeten shumë në energjinë ruse.