Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulluri ka dorëzuar në Kuvend shkresën që i drejtohet drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi për ndryshimin e sensit të lëvizjes në aksin Qafë Kashar-Rinas që ka çuar në protestë edhe banorët e zonës.
“Sot kam dorëzuar në Kuvend shkresën për kërkesë informacioni drejtuar ARRSH dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mbi vendimin e lëvizjes me një sens në aksin Qafë-Kashar- Rrethrrotullimi Nënë Tereza – Ahmetaq. Kërkesa e banorëve vazhdon të jetë e njëjtë. Rishikim të vendimit ku banorët e Rinasit nuk do të penalizohen dhe izolohen në sajë të lëvizjes në një sens drejtimi”, shkruan Ulliri.
Deputetja kërkon nga drejtori i ARRSH-së shpjegime se si është marrë vendimi, studimi mbi të cilin është kryer, kostot që parashikohet të ketë dhe personat përgjegjës që e kanë kryer atë.
Prej tre ditësh banorët e zonës së Rinasit kanë protestuar lidhur me ndryshimin e qarkullimit në rrugë duke u shprehur se i bllokon ata në qasjen në shkollë apo punë dhe përditshmërinë e tyre.