Vendosni fjalën kyçe....

“Duam që Ukraina të fitojë” – Von der Leyen propozon paketën e 6 të sanksioneve kundër Moskës


Bashkimi Evropian po merr të tjera masa shtesë kundër Moskës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim në “Twitter” zbulon paketën e 6 të sanksioneve.

Kështu përveç propozimit për ndalimin e naftës ruse, Der Leyen paralajmëron se do heqin bankën kryesore ruse nga sistemi SWIFT.

 “Sot po prezantojmë paketën e gjashtë të sanksioneve.

Së pari, po listojmë oficerët e lartë ushtarakë dhe individë të tjerë që kryen krime lufte në Bucha.

Ne e dimë se kush jeni.

Dhe ju do të mbani përgjegjësi. Së dyti, ne do heqim shpejt nga sistemi SËIFT Sberbank – deri tani bankën më të madhe në Rusi – dhe dy banka të tjera të mëdha.

Së treti, ne po ndalojmë tre transmetues të mëdhenj shtetërorë rusë nga valët tona, që përforcojnë gënjeshtrat dhe propagandën e Putinit në mënyrë agresive. Së fundi, ne tani propozojmë ndalimin e naftës ruse.”- shkruan Der Leyen.

Sa i përket ndalimit të naftës ruse, ajo shton se kjo nuk do jetë e lehtë: “Le të jemi të qartë: nuk do të jetë e lehtë.

Por ne thjesht duhet të punojmë për të.

Ne do të sigurohemi që ta heqim gradualisht naftën ruse në mënyrë të rregullt, për të maksimizuar presionin ndaj Rusisë, duke minimizuar ndikimin në ekonomitë tona.”

Der Leyen shprehet se BE do që Ukraina ta fitojë luftën me Rusinë dhe propozon gjithashtu nisjen e punës për një paketë rimëkëmbje për Ukrainën.

“Ne duam që Ukraina të fitojë këtë luftë. Megjithatë duhet rindërtuar kaq shumë.

Kjo është arsyeja pse unë po propozoj të fillojmë të punojmë për një paketë ambicioze rimëkëmbjeje për miqtë tanë ukrainas. Kjo paketë duhet të sjellë investime masive për të plotësuar nevojat dhe reformat e nevojshme.”- shton presidentja e KE-së.