Vendosni fjalën kyçe....

I vaksinuar plotësisht, Blinken preket nga Covid-19


Sekretari i Shtetit Antony Blinken rezultoi pozitiv me Covid-19 të mërkurën, duke u bërë zyrtari i fundit i kabinetit të administratës Biden që preket nga virusi.

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken doli pozitiv për Covid-19 këtë pasdite nëpërmjet një testi PCR. Sekretari është plotësisht i vaksinuar dhe i përforcuar kundër virusit dhe po përjeton vetëm simptoma të lehta. Ai rezultoi negativ të martën dhe përsëri në këtë mëngjes.” – tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

“Sekretari nuk e ka takuar personalisht Presidentin Biden prej disa ditësh dhe Presidenti nuk konsiderohet si një kontakt i ngushtë sipas udhëzimeve nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).” – shtoi Price.

“Në përputhje me udhëzimet e CDC-së dhe në konsultim me Byronë e Shërbimeve Mjekësore të Departamentit, Sekretari do të izolohet në shtëpi dhe do e kryejë virtualisht punën. Ai mezi pret të kthehet në Departament dhe të rifillojë detyrat dhe udhëtimet e tij të plota sa më shpejt të jetë e mundur.”

Më herët edhe zv.presidentja Harris doli pozitive me Covid-19. Demokratë të tjerë të afërt me presidentin gjithashtu kanë rezultuar pozitivë për Covid, duke përfshirë kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe sekretaren e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.