Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu propozoi sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që të përfshihen të gjithë deputetët në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Ky është një proces që duhet të përfshirë të gjithë trupën e deputeteve të Kuvendit. S’ka autoritet dhe as individë të caktuar apo parti të veçuara, por të gjithë të jenë të përfshirë. Propozimi im i parë, pasi është me rëndësi, është që të arrijmë në një marrëveshje që të kemi një president që të jetë mbi palët. Ndaj mendoj që të konsiderojmë dhe deputetët dhe grupet parlamentare dhe partitë.
Pozitën dhe opozitën. I bëj kërkesë kësaj mbledhje që është në interes të këtyre negociatave, që të ketë një përfaqësi mes maxhorancës dhe opozitës. Duhet të kryhen këto negociata jashtë procesit formal. Mendoj se bëjmë shkelje flagrante të kush ndaj të mos kemi ngut të fillojmë në 10, por të kemi kohë për të vendosur kriteret që lidhen me funksionin e Presidentit. Të ezaurojmë gjithë procedurat pasi të ezaurojmë vullnetin e përbashkët për emrin e Presidentit. Ka njerëz që padyshim e meritojnë këtë vend dhe të jemi më mëndje hapur…”– tha Mediu.
Mirëpo kjo kërkesë e Mediut ka hasur në kundërshti nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Ai e refuzoi kërkesën duke thënë se diskutimi do bëhet siç e përcakton edhe Rregullorja e Kuvendit, vetëm mes grupeve parlamentare.
Kjo nënkupton që nga diskutimi përjashtohet grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha.
“E rëndësishme është që i gjithë procesi nga dita e parë deri ditën e fundit të jetë sipas Kushtetutës. Tradita parlamentare është e konsoliduar për këtë proces. Për t’iu përgjigjur Mediu për një proces partiak dhe gjithëpërfshirës, procesi do të jetë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë dhe vetëm me grupet parlamentare. Ky është kushti i vetëm që ka PS. Se ç’bëni ju në krahun tuaj të opozitës për të ardhur një treshe përfaqësuese, bini dakord ju, por i gjithë procesi do të zhvillohet në Kuvend. Rregullorja e kuvendit ka përcaktuar grupet parlamentare si të vetmet organizime të mirëfillta të Parlamentit. Opozita brenda vetes ka proceset e veta, edhe maxhoranca ka proceset e veta.”– tha Balla.