Vendosni fjalën kyçe....

Nuk shkuan në shkollë se iu bllokua rruga, Evis Kushi kritikon prindërit e Rinasit: Mos i privoni fëmijët nga e drejta për arsim


Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar pas protestës së banorëvce të Rinasit, duke kritikuar prindërit që nuk kanë dërguar sot fëmijët e tyre në shkollë. Ajo u bën thirrje të mos i provojnë fëmijët nga e drejta për arsimin.

“Jam njoftuar sot nga strukturat tona arsimore në shkollën 9-vjeçare ‘Rexhë Deliu’ në Rinas që pjesa më e madhe e prindërve nuk i kanë sjellë sot fëmijët e tyre në mësim.

Të dashur prindër, duke vlerësuar të drejtën për të protestuar të çdo qytetari në një shoqëri demokratike, ju lutem që të mos i privoni fëmijët nga e drejta e tyre themelore për arsimim.

Çdo orë mësimi ka vlerë për fëmijët tanë, prandaj duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj kam besim që nesër mësimi do të vijojë normalisht edhe në këtë shkollë.”- shkruan Kushi në Facebook.

Kujtojmë se prindërit në Rinas gjatë protestës së sotme u ankuan se fëmijët e tyre nuk kishin rrugë për të shkuar në shkollë pas bllokimit të saj me vendim të ARRSH-së dhe se rrugicat që duhet të ndjekin janë të rrezikshme, fëmijët nuk shkojnë dot në këmbë dhe institucionet nuk i kanë mundësuar një mjet transporti.