Partia Socialiste ka pranuar kërkesën e Enkelejd Alibeajt për shtyrjen e afatit të nisjes së procesit të zgjedhjes së presidentit në datë 10 Maj.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, theksoi se në datë 15 Maj në orën 16:00 në Kuvendin e Shqipërisë do të dorëzohen emrat e propozuar si kandidatë për presidentë.
Ndërsa shtoi se e ka të pamundur të pranojë kërkesën e Fatmir Mediut për gjithëpërfshirje të deputetëve.
“Bie dakord me propozimin e Alibeajt që fillimi i procesit të konsiderohet data 10 por duke bërë arsyetimin që sapo njoftova me publikun që mbledhja e konferencës së kryetarëve të jetë një mbledhje vijuese. Që data 16 të jetë raundi i parë. Besoj që me këtë propozim i kemi përmbushur pritshmëritë për një proces serioz. Në çdo rast mbledhja ndërpritet pa vendimmarrje.
Ndërkohë që duke qenë se ky është proces i rëndësishëm ku publiku është shumë i investuar, unë do ju ftoja tre krerët e grupeve parlamentare, që përveç kësaj pjese të mundësojmë një dialog mbi bazën e disa parimeve që personifikon presidenti. Kushtetuta ka qenë shumë e thjeshtë kur ka vënë kritere për presidentin e republikës. Shtetas shqiptar, mbi 40 vjeç, rezident në Shqipëri në 10 vitet e fundit.
Me përgjegjësinë që të gjejmë një president të gjithë shqiptarëve, disponobilitetin tonë e keni me pashë. Të dhëna të gjitha këto shenjën e parë të gatishmërisë sonë për proces konsesual e keni. Zgjidhja e vetme është kjo. Duke e quajtur vijuese mbledhjen e sotme. Rregullorja dhe kushtetuta na imponojnë që për çdo afat të vendosim afate të tjera pararendëse. Pra po bëj një simulim. Deri në datë 15 në orën 16:00, në kuvendin e Shqipërisë të jenë dorëzuar emrat sipas procedurës të shoqëruar me firma.
Jo më pak se 20 firma. Asnjë deputet nuk mund të firmosë më shumë se një emër. Me datë 16 Komisioni i Ligjeve të bëjë shqyrtimin dhe verifikimin përkatës. Dhe pastaj të shkojmë në seancën plenare pasdite për t’i lënë kohë komisionit të ligjeve. Mendoj që fakti që sot jemi të gjithë bashkë është një ogur i mirë. Duke e marrë të mirëqenë që gjetëm dakordësi për njërin propozim. Propozimin Mediut nuk jam i gatshëm ta pranoj. Besoj se kemi vënë baza të shëndetshme.”-u shpreh Balla.