Vendosni fjalën kyçe....

Rama për raportin e “Gazetarëve pa Kufij”: Në asnjë vend të rajonit, mediat nuk e kanë lirinë si në Shqipëri, këtë s’e luan topi


Kryeministri Edi Rama ka folur mbi raportin e organizatës “Gazetarët pa Kufij” për lirinë e medieve në Shqipëri.

Ai u shpreh se nuk i duket shqetësuese situata e medias në Shqipëri madje sipas tij në asnjë vend të rajonit gazetarët nuk kanë aq shumë liri sa në vendin tonë. Sipas tij vitin e kaluar nuk është kërcënuar asnjë gazetar.

“Në asnjë vend të rajonit, mediat nuk e kanë lirinë që e kanë në Shqipëri. Për këtë nuk ka raport. Nuk ka top që e luan këtë pavarësisht se çfarë thonë indekset dhe raportet. Për mua raportet që meritojnë të lexohen janë shumë pak. Nëse dëshironi, mund të nis me raportin e BE ku një grup i tërë njerëzish punon për raportin bazuar në fakte e argumenta, jo mbi perceptime e axhenda.

Me të gjithë respektin, por në këto vite leximi kam mësuar të jem selektiv se një pjesë e këtyre raporteve nuk janë të besueshëm. Nuk shoh asnjë shqetësim për situatën e medias në Shqipëri, përveç se çdo ditë shtohen viktimat e abuzimeve, shpifjeve, fabrikimeve, bullizmit ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë gjyq ndaj asnjë gazetari, nuk ka pasur asnjë gazetar të kërcënuar. Nëse kush bën raportet ka të dhëna të padeklaruara, do i lutesha të vinte në dispozicion këto të dhëna.”- u shpreh kryeministri.

Rama u pyet nga gazetarët lidhur me reportazhet për krimin e oraganizuar, për të cilat u përgjigj se për të kanë rëndësi vetëm faket.

“Kam parë shumë nga këto reportazhe, por faktet kanë rëndësi për mua dhe këto i keni në të gjitha raportet e progreset të BE dhe nga ecuria e luftës me krimin, drogën. Liria e medias dhe reportazhet e lira janë një çështje që ka problematikën e vet kudo, edhe në Gjermani.”- u përgjigj ai.