Vendosni fjalën kyçe....

Riparuesi i laptopit që ekspozoi Hunter Biden padit Kongresmenin demokrat e disa media


John Paul Mac Isaac, riparuesi i laptopit të Hunter Biden në një dyqan në Delaware, ka paditur për shpifje Kongresmenin demokrat Adam Schiff si dhe mediat CNN, The Daily Beast dhe Politico.

Pasi humbi biznesin e tij dhe duroi ngacmimet për 18 muaj, Isaac ka ngritur një padi shumëmilionëshe për shpifje të martën kundër mediave të lartpërmendura e demokratit.

“Pasi luftova për të zbuluar të vërtetën, gjithçka që dua tani është që pjesa tjetër e vendit të dijë se ka pasur një përpjekje kolektive dhe të orkestruar nga mediat sociale dhe kryesore për të bllokuar një histori reale me pasoja reale për kombin.” – tha John Paul Mac Isaac, për New York Post.

Isaac, pronari i asaj që ishte The Mac Shop në Trolley Square, tha për Fox News se jeta e tij u kthye përmbys pasi publiku zbuloi se ai ia kishte dhënë përmbajtjen e laptopit FBI-së dhe ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani.

“Sapo historia u publikua dhe emri im u zbulua në publik, në fillim u përpoqa të ikja e të fshihesha. Tani po përpiqem të rindërtoj jetën time.” – tha ai.

Isaac u bë pronari ligjor i laptopit pasi djali i presidentit Joe Biden, Hunter e braktisi atë në dyqan në prill 2019. Përmbajtja e laptopit ka ngritur pikëpyetje rreth asaj që Biden dinte për marrëdhëniet e biznesit me jashtë të djalit të tij.

Mac Isaac i dha FBI-së një kopje të hard drive-it të laptopit në dhjetor 2019 dhe e vuri në dijeni avokatin e atëhershëm të Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani për ekzistencën e tij tetë muaj më vonë. Giuliani i dha një kopje të materialit New York Post.

Pas publikimit të historisë së parë të New York Post në tetor 2020, Twitter dhe Facebook e censuruan atë kurse Kongresmeni demokrat Schiff dhe 51 ish-zyrtarë të inteligjencës e etiketuan atë si dezinformim rus.

“Tëitter fillimisht e etiketoi veprimin tim si hakerim, kështu që ditën e parë pasi informacioni im u zbulua, unë u bombardova me postime që nxisnin urrejtje dhe kërcënime me vdekje me persona që më akuzonin  se isha një haker, një hajdut dhe një kriminel.” – tha Mac Isaac.

Pasi njerëzit filluan të vandalizojnë dyqanin e tij duke hedhur perime, vezë dhe jashtëqitje qeni, Mac Isaac tha se ai u detyrua të mbyllte biznesin e tij të riparimit të kompjuterave pranë shtëpive të familjes Biden në Greenville, Delaware. Ai i tha New York Post se shkoi në mërgim në Kolorado për një vit.

Avokati i tij Brian Della Rocca tha se Mac Isaac ‘ka vuajtur jashtëzakonisht shumë nga deklaratat e rreme dhe po kërkon ‘të paktën 1 milion dollarë dëmshpërblim, dëmshpërblim që do të jetë  shumë më i madh dhe do të përcaktohet në gjyq’.

“Ai ka humbur biznesin e tij, miqësitë dhe pozitën e tij të nderuar në komunitetin e tij.” – tha avokati.

“Kjo padi synon të riparojë një pjesë të vogël të atij dëmi të shkaktuar nga të pandehurit në padi, ne synojmë të tregojmë se veprimet e tyre ishin qëllimisht keqdashëse.”

Sipas New York Post, Mac Isaac ishte i pasuksesshëm në përpjekjen e tij për të paditur Twitter për shpifje vitin e kaluar dhe u ngarkua me faturat ligjore të platformës së mediave sociale, që arrinin në rreth 175,000 dollarë.

Këtë herë, ai mbështetet nga The America Project, një organizatë jofitimprurëse që u themelua nga besnikët e Trump, duke përfshirë Gjeneralin e ushtrisë në pension Michael Flynn, vëllain Joe Flynn dhe biznesmenin Pat Byrne.

New York Times dhe Washington Post hodhën poshtë historinë e laptopit Hunter Biden për muaj të tërë, duke e konsideruar informacionin si të paverifikuar. Që atëherë, të dyja media në fjalë kanë vërtetuar disa nga përmbajtjet e laptopit, duke përfshirë informacionin që po përdoret në një hetim federal të mashtrimit të mundshëm tatimor, pastrimit të parave dhe shkeljeve të lobimit të huaj nga Hunter Biden.

Ankesa është paraqitur në Montgomery County, Maryland.