Drejtori i CIA-s, William Burns, muajin e kaluar bëri një udhëtim të paparalajmëruar në Arabinë Saudite për t’u takuar me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman. Kështu raporton “The Wall Street Journal”.
Sipas gazetës administrata e Joe Bidenit po përpiqet të riparojë lidhjet me një partner kyç të sigurisë në Lindjen e Mesme.
Vizita në fjalë u zhvillua në mesin e prillit në qytetin bregdetar të Jeddah, ku lideri saudite kaloi pjesën më të madhe të muajit të shenjtë të Ramazanit. Edhe pse nuk ka detaje zyrtare mbi atë që dy burrat diskutuan besohet të jenë prekur temat mbi prodhimin e naftës, pushtimin rus të Ukrainës, marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe luftën në Jemen.
“Ishte një bisedë e mirë, me ton më të mirë se angazhimet e mëparshme të qeverisë së SHBA-ve.”– tha një zyrtar amerikan sipas WSJ-së, për takimin e Burns me Princin Mohammed, i cili drejton punët e përditshme të Arabisë Saudite në emër të babait të tij 86-vjeçar, mbretit Salman.
Burns është ish-zëvendës sekretar i shtetit, i cili ka studiuar arabisht dhe ka mbajtur poste në Lindjen e Mesme, si dhe ka përvojë të mëparshme në diplomacinë e fshehtë. Gjatë administratës së Obamës, ai ndihmoi në udhëheqjen e bisedimeve sekrete me Iranin që çuan në marrëveshjen shumëkombëshe në vitin 2015 për të kufizuar zhvillimin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike.
Burns udhëtoi për në Arabinë Saudite në një kohë kur marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Riadit janë në pikën më të ulët në dekada, për shkak të deklaratave të Joe Bidenit në vitin 2019 se mbretëria duhet të trajtohet si e pabesë për çështjet e të drejtave të njeriut si vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi.
Vlerësimi i inteligjencës i publikuar vitin e kaluar nga Biden, vendosi që Princi Mohammed e kishte miratuar operacionin për të kapur ose vrarë gazetarin Khashoggi, që çoi në vrasjen dhe copëtimin e tij në vitin 2018 brenda konsullatës saudite në Stamboll.
Princi Mohammed ka mohuar përfshirjen në vrasje dhe i tha Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Bidenit në shtator se ai kurrë nuk donte ta diskutonte më këtë çështje.
Që atëherë, Arabia Saudite ka kundërshtuar kërkesat e SHBA-ve për të pompuar më shumë naftë për të zbutur çmimet dhe për të ulur financat e luftës të Moskës, duke mbajtur një qëndrim në përputhje me interesat ruse.
Krisjet politike mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite janë thelluar që kur Rusia pushtoi Ukrainën, kanë thënë zyrtarë të lartë nga të dyja qeveritë. Rreziku për SHBA-në është se Riadi do të përafrohet më ngushtë me Kinën dhe Rusinë, ose të paktën do të mbetet neutral për çështjet me interes jetik për Uashingtonin, siç ka bërë për Ukrainën.
Shtëpia e Bardhë ka përsëritur më parë se SHBA-të janë të përkushtuara për të mbështetur mbrojtjen territoriale të Arabisë Saudite dhe një zyrtar saudit në Ambasadën e Uashingtonit të mbretërisë ka thënë se marrëdhënia me SHBA-në mbetet e fortë.
Zyrtarë të shumtë amerikanë e kanë vizituar mbretërinë në mënyrë të përsëritur gjatë vitit të kaluar për t’u përpjekur të shërojnë krisjet, me synimin për të adresuar shqetësimet saudite rreth kërcënimeve të sigurisë nga Irani dhe rebelët Houthi që Irani i mbështet në Jemen. Megjithatë, duke qenë se Biden kundërshton çdo lëshim të gjerë për sauditët, zyrtarët kanë pranuar se kanë bërë vetëm përparim modest.
Që nga marrja në dorë e agjencisë kombëtare të spiunazhit vitin e kaluar, Burns ka bërë të paktën 15 udhëtime jashtë vendit, duke përfshirë një vizitë sekrete në Kabul gushtin e kaluar për t’u takuar me figurën kryesore të talebanëve. Që atëherë ai ka luajtur një rol kyç në përgjigjen e administratës Biden ndaj luftës në Ukrainë, duke vizituar Rusinë nëntorin e kaluar për të paralajmëruar presidentin Vladimir Putin për pasojat e një pushtimi.