Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e 31-vjeçarit në Komisariatin e Kavajës, Policia e Shtetit: Mbetemi të angazhuar e interesuar për zbardhjen e ngjarjes


Policia e Shtetit ka njoftuar se ka ngritur një grup inspektimi për ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Komisariatit të Kavajës ku u gjet i vdekur një 31-vjeçar i cili dyshohet se u vetëvar.

Sipas policisë, grupi përbëhet nga specialistë të departamenteve të ndryshëm të cilët do verifikojnë nëse janë zbatuar procedurat lidhur me rastin në fjalë.

Po kështu në njoftim theksohet se hetimi po kryhet nga prokuroria dhe një grup i Agjencisë për Mbikëqyrjen e Policisë dhe se policia nuk është pjesë e këtij hetimi por mbetet e angazhuar për zbardhjen e ngjarjes.

“Lidhur me ngjarjen e ndodhur sot, në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku në dhomat e sigurisë u gjet pa shenja jete, shtetasi I. M., i dyshuar si i vetëvarur, i cili ishte ndaluar mesditën e sotme, informojmë se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dërguar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë, një grup inspektimi, të përbërë nga specialistë të Departamentit të Sigurisë Publike dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar nëse janë zbatuar ose jo procedurat standarde për sigurinë e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë. Veprimet hetimore po kryhen nga një grup i posaçëm hetimor i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë. Policia e Shtetit nuk është pjesë e këtij hetimi. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar dhe e interesuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.” – thuhet në njoftim.