Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Arjan Ndoji. Sipas anëtarëve të KPK-së Ndoji nuk justifikonte pasurinë.
Në seancën e 29 prillit, ky i fundit u përplas me vëzhguesin ndërkombëtar të ONM-së Theo Jacobs, i cili e sulmoi pikërisht për shkak të pasurisë prej 250 mijë eurosh si avokat dhe se nuk donte një prokuror si ai në skuadër.
Ndoji nga ana e tij iu përgjigj duke i kërkuar Jacobs-it të mos merrej me ‘muhabete kafenesh’.
Jacobs u përfshi në një skandal pak kohë më parë në çështjen e rivlerësimit të ish-drejtueses së prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Vëzhguesi ndërkombëtar kishte referuar si prova ndaj Imerajt në veting dëshminë e dy personave që nuk ekzistojnë fare në regjistrin e Gjendjes Civile duke qenë persona fals si dhe denoncimin e një personi me probleme të shëndetit mendor.