Asetet ruse që janë ngrirë në BE si pjesë e sanksioneve kundër Moskës për konfliktin me Kievin duhet të konfiskohen dhe të përdoren për rindërtimin e Ukrainës, tha të enjten presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
“Jam absolutisht i bindur se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme jo vetëm për të ngrirë asetet, por edhe për të bërë të mundur konfiskimin e tyre, për t’i vënë ato në dispozicion për rindërtimin e vendit. Unë personalisht jam i bindur.” – këmbënguli Michel në një intervistë me agjencinë e lajmeve Interfax-Ukraine.
Ai zbuloi se tashmë i kishte thënë shërbimit ligjor të Këshillit që të dilte me ‘disa ide të mundshme për të gjetur një zgjidhje ligjore në përputhje me parimet e shtetit ligjor, që do të lehtësonte dhe bënte të mundur konfiskimin e aseteve të njerëzve që janë të sanksionuar nga BE-ja ose nga vende të tjera në botë’.
Megjithatë, Michel pranoi se zbatimi i planit të tij në një ‘nivel ligjor nuk është aq i thjeshtë’.
“Ka 27 sisteme ligjore në të gjithë BE-në dhe në shumë vende anëtare të BE-së e kjo kërkon një vendim të marrë nga një gjykatë për ta bërë të mundur. Duhet kohë, është një proces i vështirë dhe i gjatë.” – shpjegoi ai.
Idetë e presidentit të Këshillit Evropian u bënë jehonë atyre të shprehura më parë nga Uashingtoni. Në fund të prillit, Shtëpia e Bardhë paraqiti një sërë ‘propozimesh gjithëpërfshirëse’ që synonin t’i mbanin ‘oligarkët’ rusë përgjegjës për ngjarjet në Ukrainë.
Propozimet përfshinin ‘krijimin e një autoriteti administrativ të strukturuar’ që do të ishte në gjendje të konfiskonte asetet e sanksionuara dhe t’i transferonte ato në Kiev për ‘të ndrequr dëmet e agresionit rus’.
Moska i dënoi ato plane amerikane si ‘asgjë tjetër veçse shpronësim i thjeshtë i pronës private që SHBA kërkon të justifikojë në mënyrë të rreme’.
SHBA, BE dhe disa vende të tjera kanë vendosur disa raunde sanksionesh ekonomike të paprecedenta ndaj Moskës për operacionin e saj të vazhdueshëm ushtarak në Ukrainë.