Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i përgjigjet Ramës për Dvoranin: Hajduti mbron hajdutin, fshehu 82 mijë euro dhe 40m2 të një apartamenti


Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me akuzat që i drejtoi sot SPAK-ut kryeministri Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thotë se Dvorani kishte fshehur 82 mijë euro pasuri dhe 40m2 të një apartamenti pavarësisht se Rama u shpreh se ai u hetua për një apartament të kohës së komunizmit.

“Të dashur miq, në një ligjëratë të denjë për bodrumet e mafies, Edi Rama sulmon Spakun e partisë për hetimin që ky organ guxon t’i bëjë famozit Dvorani, i cili gjatë vetingut doli se kishte fshehur 82 mijë euro dhe jo vetëm kaq, por dhe 40 m2 të apartamentit të tij dhe ishte ‘shpërblyer’ me 17 mijë euro nga Albtelecom për të cilin më pas kishte dhënë 9 vendime në favor të kësaj ndërmarrje dhe kundër institucioneve shtetërore të vendit.”- shkruan Berisha i cili shprehet se kësaj i thonë “hajduti mbron hajdutin”.

Ai publikon më pas edhe një analizë të Vettingut të Dvoranit.

REAGIMI I PLOTË I BERISHËS

Hajduti mbron hajdutin, apo binomi Rama – Dvorani!

Të dashur miq, në një ligjëratë të denjë për bodrumet e mafies, Edi Rama sulmon Spakun e partisë për hetimin që ky organ guxon t’i bëjë famozit Dvorani, i cili gjatë vetingut doli se kishte fshehur 82 mijë euro dhe jo vetëm kaq, por dhe 40 m2 të apartamentit të tij dhe ishte ‘shpërblyer’ me 17 mijë euro nga Albtelecom për të cilin më pas kishte dhënë 9 vendime në favor të kësaj ndërmarrje dhe kundër institucioneve shtetërore të vendit.”-

Pasi dëgjoi avokatinë e Ramës ndaj Dvoranit, qytetari dixhital më shkruan se kësaj i thonë: hajduti mbron hajdutin dhe se Dvorani, përveç apartamentit të kohës së diktaturës, ka edhe një apartament tjetër tek Treni të cilin nuk dihet e ka të deklaruar apo jo!

“Z. Berisha më informon një ish-koleg i Dvoranit se ky i varfër ka paguar në Afrikë cash të holla për të lidhur kafshët e egra. Imagjino se sa i varfër është. Të shikohet pasaporta dhe udhtimet e tij jashtë vendit.”

Këtu më poshtë keni një analizë të vetingut korruptiv të Adrian Dvoranit. sb

Procesi i vetingut të Ardian Dvoranit është rasti klasik i përdorimit të dy standarteve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) në vlerësimin e ligjshmërisë së burimeve të pasurisë. Gjatë këtij procesi doli se Dvorani nuk kish deklaruar 82 mijë euro të vetat dhe familjes së tij. Ai e justifikoi këtë me harresën e ekzistencës së tyre dhe çuditërisht kjo “harresë” u pranua dhe nga komisioneret e KPK, ndërsa për shembull, pak më vonë antarit të Gjykatës Kushtetuese të emëruar nga Presidenti i Republikës Besnik Muçi nuk iu pranua “ harresa” për 16 mijë euro dhe ai u largua nga detyra.

Përveç kësaj në kontrast me qëndimin mbi “harresën” e Dvoranit, KPK konsideroi se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese F.H kish kryer fshehje të pasurisë duke mos përmendur deklaratën vjetore të vitit 2003 një depozitë të bashkëshortes në vlerën prej 330.000 lekësh (afërsisht 2500 euro), të cilën ai e kish deklaruar më vonë në vitin 2004 dhe vendosi shkarkimin e tij. Po kështu, KPK vendosi shkarkimin e gjyqtarit B.T duke përmendur ndër të tjera se, ai kish kryer fshehje të pasurisë kur nuk kish përmendur në deklaratën e tij të pasurisë llogarinë bankare të të bijës, të krijuar tërësisht nga rroga e saj në një institucion shtetëror, e gjitha në vlerën rreth 1000 euro (148.226 Lekë).

Po kështu, apartamenti i përfituar nga Dvorani në vitin 2001, si punonjës i kompanisë shtetërore Albtelecom sha paraqiti probleme të theksuara të transparencës dhe konfliktit të interesit. Apartamenti, i cili sipas kontratës fillestare ishte 93m2, në hipotekë ishte rregjistruar në emër të një personi tjetër. Pagesa e apartamentit ish bërë fillimisht prej Dvoranit (me këste që prej vitit 2004), por pas privatizimit të kompanisë në 2013, partnerët private të Albtelecom vendosën t’i falnin Dvoranit, i cili në atë kohë ishte gjyqtar në Gjykatën e Lartë, vlerën e mbetur prej 17 mijë eurosh, nga 34 mijë që ishte vlera totale, si dhe gjithashtu ti ofrojnë një sipërfaqe shtesë, bërë kështu apartamentin në total 120 m2. Si justifikim i vetëm për këtë para KPK ishte se Albtelecomi e kishte këtë me vullnetin e tij dhe jo me kërkesë të A. Dvoranit.

Ndërkohë Dvorani kishte gjykuar në Gjykatën e Lartë në konflikt të plotë interesi si kryetar apo anëtar paneli 9 çështje ku palë ishte Albtelecomi kundër institucioneve shtetërore, taksave, entit regulator të telekomunikacionit etj dhe në të gjitha ai kishte votuar në favor të Albtelecomit. Për kontrast janë të shumtë gjyqtarët që janë larguar vetëm sepse kreditë e tyre, të marra në banka private, janë konsideruar si të dhëna në kushte më të favorshme se ato të tregut, apo kur ata kanë gjykuar çështje në të cilat palë kanë qenë bankat ku ata kanë marrë kredi.