Një muze në Gjermani kushtuar Luftës së Dytë Botërore dhe përfundimit të atij konflikti në Evropë, ka vendosur të ndryshojë emrin për shkak të luftës në Ukrainë.
Muzeu Gjermano-Rus është vendosur në ndërtesën ku forcat e Hitlerit nënshkruan dorëzimin e pakushtëzuar të Gjermanisë në natën e 8-9 majit 1945, duke i dhënë fund luftës në Evropë. Dokumenti u nënshkrua në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Sovjetik, SHBA-së, Britanisë dhe Francës.
Muzeu kushtuar marrëdhënieve gjermano-sovjetike, u hap për herë të parë për publikun në vitin 1995 dhe sponsorizohet nga Gjermania, Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia.
Jorg Morre, drejtori i muzeut, i tha mediave gjermane në fillim të kësaj jave se institucioni ka vendosur të heqë referencën e Rusisë nga emri, në shenjë proteste ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë. Emri i ri është Muzeu Berlin-Karlshorst.
“Që në ditën e parë të pushtimit ne thamë se kjo ishte një pikë kthese kaq e thellë sa duhej ta bënim këtë.”- tha Morre për transmetuesin rbb24. Përveç ndryshimit të emrit, flamuri gjerman, rus dhe bjellorus janë hequr nga shtyllat para godinës dhe ka mbetur vetëm flamuri i Ukrainës.
Po ashtu drejtori shpjegoi se tabela në ndërtesë do të ndryshohej në “Vendi i Kapitullimit, maj 1945”. Morre tha më herët se për shkak të konfliktit ruso-ukrainas, përkujtimi i Ditës së Fitores në Evropë më 8 maj do të kufizohet vetëm në turne të rregullta muzeale.
Në fakt Muzeu e kishte njoftuar synimin e tij për të ndryshuar emrin që në prill. “Ky emër, edhe pse i rritur historikisht, nuk pasqyron në mënyrë adekuate punën tonë aktuale.”-shprehej institucioni.
Muzeu gjermano-rus Berlin-Karlshorst përmban ekspozita kushtuar përfundimit të luftimeve në Evropë, duke përfshirë sallën ku u nënshkrua Akti historik i Kapitullimit. Ndërmjet viteve 1945 dhe 1949, e njëjta ndërtesë shërbeu si seli e administratës ushtarake sovjetike.
Për shkak të luftës në Ukrainë, një sërë biznesesh, objektesh dhe monumentesh kanë pësuar ndrysime emrash.