Deputetja demokrate Albana Vokshi ka reaguar pas akuzave të vazhdueshme që Ibsen Elezi ka bërë ditët e fundit lidhur me situatën në PD.
Në një letër publike drejtuar Elezit, Vokshi shprehet se ndryshe nga sa pretendon Elezi, Dorian Teliti ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike deri në datë 30 prill 2022, si dhe kandidat për Këshillin e ri Kombëtar të PD i renditur nr . 127 në listë.
Ndërsa lidhur me akuzat se ajo po mban sekret votat, Vokshi fton secilin kandidat i Këshillit Kombëtar “të bëjë kërkesë zyrtare pranë Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale brenda afatit 7 ditor” që të shohë votat që ka marrë. Dhe sipas saj çdo kandidati do i mundësohet që të numërojë votat.
Ky reagim i Vokshit vjen pasi Elezi në rrjetet sociale shkruante se “shefi i kabinetit të Bashës” Dorian Teliti doli fitues, ndërkohë që emri i tij nuk ishte fare në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD-së.
Sipas tij, ky është një skandal. Ai hishte akuza edhe ndaj Albana Vokshit, për të cilën shprehej se mban “sekret” numrin e votave për secilin kandidat. Elezi e quante Vokshin “Damiana Gjiknuri e PD-së”.
DEKLARATA E PLOTË E VOKSHIT
Sqarim për z. Ibsen Elezi,
I nderuar z. Elezi,
Për sa i përket pretendimeve tuaja që z. Dorian Teliti nuk ka qenë në listën e kandidatëve për Këshill Kombëtar e që Albana mban sekret votat që ka marrë secili, më lejoni t’ju jap një sqarim sa më poshtë vijon:
- Z. Dorian Teliti, ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike deri në datë 30 prill 2022, si dhe kandidat për Këshillin e ri Kombëtar të PD i renditur nr . 127 në listë.
- Përsa i përket pretendimit për mbajtjen “sekret” të votave nga ana ime, ju informoj që secili kandidat i Këshillit Kombëtar, që dëshiron të shohë numrin e votave që ka marrë në garën për Këshill Kombëtar, përfshirë edhe ju, është i lutur të bëjë kërkesë zyrtare pranë Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale brenda afatit 7 ditor të vendosur nga Komisioni. Komisioni do të sigurojë aksesin që cdo kandidat të numurojë çdo votë që ka marrë.