Vendosni fjalën kyçe....

Policia arreston çiftin e administratorëve të një qendre masazhesh në Tiranë: Punësuan 21-vjeçaren për prostitucion



Goditet një tjetër qendër masazhesh në Tiranë e cila konsiderohet nga policia si ‘vatër’ prostitucioni. Uniformat blu kanë bërë me dije se kanë vënë në pranga një çift që bashkëjetonin me njëri-tjetrin dhe administronin një qendër masazhesh, në rrugën “Shyqyri Bërxolli” në kryeqytet.

Dyshja akuzohen se kishin punësuar shtetasen 21 vjeçare me inicialet I. A., e cila do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”.

NJOFTIMI I POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Couple 1”.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.

Shfrytëzonin qendrën e masazheve, për aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit, vihen në pranga 2 shtetas.

Procedohet penalisht punëtorja e qendrës së masazheve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Couple 1”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– F. D., 39 vjeç dhe M. E., 33 vjeçe (bashkëjetues), për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja I. A., 21 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.

Shtetasit F. D. dhe M. E. administronin një qendër masazhesh, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”, në të cilën kishin punësuar shtetasen I. A.

Përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, në këtë ambient ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.