Vendosni fjalën kyçe....

SPAK tha se “nuk ka asnjë çështje penale ndaj Dvoranit”, Rama reagon: Nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova, SPAK të sqarohet


Pas sulmeve të sotme të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK-ut, institucioni ka reaguar përmes një prononcimi për televizionin “Balkanweb” duke thënë se ndaj Ardian Dvoranit “nuk ka asnjë çështje penale.”

Rama ka reaguar pas kësaj në rrjetet sociale duke thënë se pavarësisht sqarimit të SPAK-ut, ai nuk i heq asnjë presje deklaratave që ka bërë sot, pasi sipas tij institucioni e ka penguar gjyqtarin të kryejë detyrën. Ai thotë se SPAK duhet të sqarohet pse veproi rrufeshëm për të hetuar një vepër imagjinare të “kampionit të antikorrupsionit”.

“Meqë ka marrë përsipër të sqarohet SPAKU do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm për një kallzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit, ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s’ka lëvizur ende gishtin!

Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!”– shkruan Rama.

E gjithë kjo vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së.

Ai kritikoi Prokurorinë e Posaçme duke thënë se në vend që të hetojë të korruptuarit e drejtësisë që u nxorën jashtë sistemit në kuadër të procesit të vetting-ut heton kampionin e reformës Ardian Dvoranin.

“U bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj vettingu i ka flakur jashtë. Ku janë sot? Ata janë në punë e tyre. Nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. BE ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që do të ulet në tryezë gjëja e parë është se sa gjykatës dhe prokurorë janë marrë në hetim. Zero. Kampioni i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë të DASH është futur në hetim nga SPAK. Për çfarë? Për një denoncim të kujt? Të atij që jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metës.”- ishin fjalët e Ramës.

SPAK reagoi për “Balkanweb” duke konfirmuar se ky institucion nuk ka asnjë çështje penale ndaj zotit Dvorani.
SPAK tha gjithashtu se më herët me kërkesë të tij, pas muajsh hetime Gjykata e Posaçme pushoi një çështje ndaj gjyqtarit Dvorani. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.