Vendimi i gjykatës për arrestimin e të riut Ilvi Meta më 4 Maj thellon më shumë skandalin lidhur me vdekjen e tij në qelinë e paraburgimit të Komisariatit të Kavajës.
Pse?
Sepse në mesditën e së mërkurës, Policia e ka çuar atë në Komisariat pa e arrestuar në flagrancë por për një vepër që dyshohej se ishte kryer shumë kohë më parë.
Dhe rreth 2 orë pas arrestimit të të riut dhe mbajtjes së tij në dhomën e të ndaluarve në komisariat, në orën 14:00 të së njëjtës ditë gjykata vendosi t’i caktojë në mungesë të tij masën e sigurimit personal të “arrestit me burg” si i dyshuar për vjedhje, vepër që dënohet deri në 3 vite.
Por vendimi në mungesë merret në rastet kur personi nuk gjendet, ndërkohë që Ilvi Meta gjendej fiks në Komisariat.
Dhe për herë të parë në historinë e jurisprudencës, masa e arrestit në mungesë është është vënë për një person që ndodhej brenda në komisariat.
Ky skandal implikon dhe prokuroren që ka kërkuar masën por dhe gjykatësen që ka firmosur urdhrin pa bërë verifikimet e nevojshme.
Dhe vetëm 3 orë nga ky vendim i paprecedentë, në orën 19:00 policia dha njoftimin se Ilvi Meta u gjet i pajetë në qëlinë e paraburgimit. Sipas policisë ishte vetëvrarë me lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur.