Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhja e kryetarëve të rinj të degëve të PS-së, Rama: Mund të garojnë edhe anëtarët e Asamblesë dhe ata jashtë strukturave


Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së ka njoftuar se së shpejti do të ngrihet një Komision i Posaçëm Zgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve për kryetarët e degëve në çdo bashki.

Ai u shpreh se anëtarët e këtij organi mund të propozojnë kandidat për kryetarë të degëve të PS-së në gjithë Shqipërinë dhe sipas tij në këtë garë mund të marrin pjesë persona edhe nga jashtë forumit të Asamblesë Kombëtare, por nuk përjashtohen dhe vetë anëtarët e kësaj strukture për të garuar.

“Të propozojnë kandidaturë edhe pa qenë pjesë e Asamblesë së PS-së, qoftë dhe duke ofruar kandidaturën vetiake për të drejtuar Partinë Socialiste.

Të gjithë kandidatët apo kandidatet për të drejtuar PS-në në çdo bashki, të kalojnë përmes një rruge që faktikisht përveçse garanton hapjen e partisë, mundëson vlerësimin e çdo kandidature, mundëson konkurrencën mes kandidatëve dhe siguron meritën brenda tyre.

Sipas librit të rregullave, kryesia ka ngritur një komision të posaçëm që do ti japë Kryesisë që në fillim të korrikut të miratojë kandidatët fitues.

Komisioni i këtyre zgjedhjeve do të ketë detyrë të posaçme për të prekur të gjithë territorin me përfaqësuesit e vet në mënyrë që të mos ketë as keqkuptime dhe as të përjashtuar nga ky proces dhe më pas për të garantuar që të gjithë kandidatët që do kalojnë fazën e parë të ballafaqojnë publikisht.”- tha Rama.

Gjatë fjalës së tij ai nuk kurseu thumbat për opozitën, duke u shprehur se partia nuk duhet të punojë për pushtetin, pasi në të kundërtën do të ndodhë e njëjta gjë që i ka ndodhur PD-së.

“E kthyen partinë në një detashmet të pushtetit dhe ja ku janë sot. Është një armë me një fuqi marramendëse që PS nuk e ka luksin ta lërë varur në mur, por duhet ta vërë në përdorim, digjitalizim, duhet të ecim më tutje me bërthamat rinore dhe me ambicien që të kemi një rrjet rinor të larmishëm, të çliruar nga hijet e së shkuar dhe një rrjet rinor të hapur, ku për secilin ka një vend dhe të gjithë të rinjtë të ndihen mirë, pa hyrë në rrugën e vjetër të brrylave dhe konkurrencës së sëmurës që e ka penguar forumin e vjetër socialist.”- tha Rama.