Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano u ka kërkuar strukturave të policisë në mbarë vendin që të reagojnë menjëherë pas një serie aksidentesh të ndodhura ditët e fundit në vend.
Pjesë e urdhëresës janë kontrolli për dhënien përparësi të këmbësorëve në vijat e bardha apo aty ku ato mungojnë, respektimin e tabelave të shpejtësisë, vënien e rripit të sigurimit e përdorimin e celularit në timon.
Po kështu do ketë kontrolle të shtuara lidhur me drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, pa leje drejtimi apo manovrave në rrugë.
Drejtori Nano, nëpërmjet një telegrami urgjent për stukturat, ka kërkuar që drejtuesit e strukturave policore të jenë në krye të shërbimeve, për t’i organizuar e orientuar, që të fokusohen në ato shkelje që janë burim i mundshëm për përfshirje në aksidente rrugore.
Masa vjen teksa paraditen e sotme, 39-vjeçari Ajas Sulejmani, pasi kaloi semaforin me të kuqe goditi një çift bashkëshortësh e foshnjën e tyre të mitur.
Aksidenti ndodhi në Rrugën e Kavajës në Tiranë ndërsa Sulejmani u largua nga vendi i ngjarjes për t’u ndaluar pak orë më vonë në një spital privat. Sipas policisë ai ëshë ndëshkuar edhe 8 herë të tjera për shkelje të ndryshme në rrugë ndërsa pas testit rezultoi se kishte përdorur lëndë narkotike.