Zbardhet fjala e Gazment Bardhit gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD-së.
Sipas gazetës “Panorama”, Bardhi ka shprehur qëndrimin e tij pro draftit të propozuar një ditë më parë nga Enkelejd Alibeaj lidhur me procesin dhe kriteret për zgjedhjen e kandidatit për president.
“Kur ne kërkojmë që opozita të propozojë presidentin jemi ne të shitur. Kur ‘Rithemelimi’ kërkon që opozita të propozojë presidentin janë opozitë.
Sigurisht që deputetët do marrin pjesë në proces, jo disa që s’janë bërë deputetë dhe nga xhelozia thonë që presidentin e propozon Këshilli Kombëtar.
Nëse ka kërkesa që të jetë nga politika, atëherë PS do thotë nëse duhet nga politika përse duhet filani nga PD dhe jo nga PS.
Kriteret janë parimore dhe ndërtojnë një figurë presidenti dinjitoz. Por nëse pranohet kriteri për të qenë në politikë e pranojmë.
Kriteret mund të diskutohen por një gjë është, që ne kërkojmë ta propozojë opozita dhe këtu duhet të qëndrojmë. Ne kemi menduar të jemi korrekt për t’i dhënë vendit president dinjitoz.”– është shprehur Bardhi.
Në mbledhjen e sotme morën pjesë 21 deputetë të PD-së nga 52 gjithsej. Në mbledhje munguan deputetët e grupit të Rithemelimit, Lulzim Basha dhe disa të gjendur mes dy grupeve.