Punonjësit e inceneratorit të Fierit janë ngritur sot në protestë për të kërkuar pagat e prapambetura. Ata ankohen se kanë katër muaj pa marrë rrogat dhe tashmë kanë hyrë në muajin e pestë.
Aktualisht inceneratori është nën administrimin e zyrës për menaxhimin e pronave të sekuestruara.
Në këtë incenerator depozitohen mbetjet e bashkive Fier, Lushnje, Patos dhe Roskovec.
Protestuesit kanë bllokuar automjetet që transportojnë mbetjet nga bashkitë në këtë incenerator. Ata kanë bllokuar portën kryesore dhe pesë automjete me mbeturina urbane kanë mbetur jashtë.
“Nuk do të lejojmë asnjë makinë të shkarkohet tek gropat pa ardhur e pa negociuar me ne se çfarë do të bëhet me pagat tona.”– tha një prej protestuesve.
“Kemi gati 5 muaj që nuk marrim pagat. Nuk është e nevojshme të na vijnë sot këtu, as qeveria, askush, se Edi Rama i ka bërë të gjitha online. Të shtypë butonin dhe të na japë paratë, se Zoti i kësaj pune është ai.
Shiheni tabelën atje, çfarë lexon. Unë jam prej 6 vitesh roje këtu, kemi lënë kockat këtu, të gjithë ne kemi punuar. Të na japin paratë, lekët tona po kërkojmë. Kemi kredi nëpër banka, fëmijë nëpër shkolla, nuk kemi ku t’i gjejmë paratë. Është e qartë se kush është Zoti këtu, shiko tabelën. Është shteti! I merr nga një xhep, i çon në xhepin tjetër! Ndërrohen administratorët?! Ç’na duhet ne! Le të na japin paratë, të na japin gjakun tonë, djersën tonë.”– tha një tjetër qytetar.
Automjetet me mbetje vijnë gjatë gjithë ditës dhe nuk dihet se çfarë do të bëhet me to, ndërsa protestuesit ende presin një zgjidhje.