Vendosni fjalën kyçe....

Konfirmohet rasti i sëmundjes së rrallë në Angli


Një rast i rrallë i lisë së majmunëve është konfirmuar në Angli, njoftoi të shtunën Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA).

Agjencia theksoi se lija e majmunëve është një infeksion i rrallë viral që nuk përhapet lehtë midis njerëzve. Për shumicën, është një sëmundje e lehtë që zhduket brenda pak javësh, por disa mund të zhvillojnë simptoma të rënda.

Pacienti i cili është diagnostikuar me linë e majmunit kishte mbërritur së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar nga Nigeria dhe po mjekohet në njësinë e izolimit të sëmundjeve infektive të spitalit ‘Guy and St. Thomas’ në Londrën Qendrore.

“Si një masë paraprake, ekspertët e UKHSA po punojnë ngushtë me kolegët e NHS dhe do flasin me njerëzit që mund të kenë qenë në kontakt të ngushtë me individin për të dhënë informacion dhe këshilla shëndetësore.” – tha UKHSA.

Lija e majmunëve është e ngjashme me linë e njeriut, e cila u zhduk në vitin 1980 dhe mund të ngatërrohet me linë e dhenve. Simptomat e tij fillestare përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dhimbje shpine, ënjtje të nyjeve limfatike, të dridhura dhe rraskapitje. Një skuqje shpesh fillon në fytyrë dhe më pas përhapet në pjesë të tjera të trupit.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar (NHS), lija e majmunëve mund të merret nga kafshët e egra të infektuara në pjesë të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore.

“Mendohet se përhapet nga brejtësit, si minjtë e ketrat.” – thotë NHS.

Vetëm disa njerëz janë diagnostikuar me linë e majmunit në Britani he të gjithë kanë udhëtuar në Afrikën Perëndimore ose kanë qenë kontakte të ngushta me dikë që kishte udhëtuar atje.

Një shpërthim i lisë së majmunëve në 2003 në Shtetet e Bashkuara u gjurmua në një dyqan kafshësh shtëpiake ku shiteshin gjitarë të vegjël nga Gana.

Edhe pse lija e majmunëve është përgjithësisht më e butë se lija e dhenve, shkalla e vdekjes midis njerëzve të infektuar në Afrikë mund të jetë deri në 10%, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Aktualisht nuk ka kurë për virusin, megjithëse vaksina kundër lisë besohet se parandalon infeksionin, sipas NHS dhe CDC.