Çmimet kanë vijuar rritjen e fortë edhe gjatë muajit prill, duke zhvlerësuar më tej të ardhurat e familjeve, që me të njëjtën sasi parash po blejnë gjithnjë e më pak produkte, shumë prej të cilave janë të domosdoshme. Ushqimet dhe transporti kanë dhënë ndikimin më të fortë në shtrenjtimin e jetesës.
Sipas INSTAT, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, kërceu në 6.2% në prill, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky është një tjetër rekord i ri, pas nivelit të marsit, që arriti në 5.7%. Kjo është rritja më e fortë e çmimeve me të cilën po përballen familjet dhe individët që nga viti 2001, kur inflacioni ishte 7.6%.
Inflacioni është pothuajse dy herë më i lartë se objektivi i shënjestruar prej 3% i Bankës së Shqipërisë, që konsiderohet dhe niveli ku rritja e çmimeve është e shëndetshme. Banka rriti normën bazë të interesit në 1% pak javë më parë, ndryshimi i parë në rritje që prej vitit 2011, në një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve, që më shumë se prej kërkesës, po shtrenjtohet për shkaqe të ofertës.
Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,56 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,49 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,21 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,20 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,12 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 22,5 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,9 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,3 %, “Argëtim dhe kulturë” me 4,1 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,6 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,2 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0 %, “Komunikimi” me 0,8 %, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,6 % secili.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” me 24,2 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 17,1 %, “bukë dhe drithra” me 16,7 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 14,3 %, “mish” me 7,8 %, “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 5,2 %, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Mars 2022, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 2,7 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 2,3 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Komunikimi ”me 0,3 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 %. Ndërsa, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një ulje me 0,5 %, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0,1 %.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al