Vendosni fjalën kyçe....

Parada vjetore e Ditës së Fitores në Rusi, Putini: Operacioni në Ukrainë ishte vendimi i duhur


Sot është një ditë e madhe në kalendarin rus. Dita e Fitores është një festë e veçantë publike dhe sytë e botës sot do të jenë në Sheshin e Kuq në Moskë.

Putini shpresonte të shënonte Ditën e Fitores duke i paraqitur popullit rus një triumf të tijin mbi Ukrainën – por nuk ndodhi. Trupat janë ende duke luftuar për të marrë të gjithë rajonin e Donbasit.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka nisur fjalimin e tij duke u thënë luftëtarëve rusë se tani po luftojnë për sigurinë e Rusisë.

“Ju po luftoni për atdheun tuaj, të ardhmen e tij.”– thotë ai.

“Vdekja e çdo ushtari dhe oficeri është e dhimbshme për ne.”– tha ai. “Shteti do të bëjë gjithçka për t’u kujdesur për këto familje”.

Ai uron veteranët për ditën e “fitores së madhe”. Dita e Fitores feston fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Sipas BBC, Putini e vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se “operacioni ushtarak special” i Rusisë në Ukrainë  ishte një masë e nevojshme dhe “në kohë“.

Ai thotë se ishte “vendimi i duhur” i një vendi të pavarur, të fortë dhe sovran.

Putin thotë se gjatë vitit të kaluar ka pasur tensione me vendet e tjera evropiane dhe NATO-n. Ai thotë se Rusia “i kërkoi Evropës të gjente një kompromis të drejtë, por ata nuk donin të na dëgjonin” dhe thotë se po përgatisnin një operacion ndëshkues në Donbas, në Ukrainën lindore.

“Në Kiev ata thoshin se mund të merrnin armë bërthamore dhe NATO filloi të eksploronte tokat afër nesh dhe kjo u bë një kërcënim i dukshëm për vendin tonë dhe për kufijtë tanë. Gjithçka na tregonte se ekziston nevoja për të luftuar.”- u shpreh ai.

Putini bën thirrje për një minutë heshtje për rusët e vrarë në Luftën e Dytë Botërore, por edhe ushtarët që luftojnë për Rusinë në Donbas.