Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar sanksione të reja kundër Rusisë lidhur me sulmin në Ukrainë. Zyra e Departamentit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka përcaktuar entitete dhe persona të cilët konsiderohen si thelbësore në forcimin e aftësive luftarake të Rusisë.
Sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit, mes atyre ndaj të cilëve rëndojnë sanksione janë anëtarë të bordit të dy prej bankave më të rëndësishme ruse, një bankë shtetërore dhe 10 filiale të saj, një prodhues armësh i mbështetur nga shteti, si dhe tre nga stacionet televizive ruse të kontrolluara nga shteti, që sigurojnë të ardhura për të.
Departamenti po merr gjithashtu masa për të ndërprerë qasjen në shërbimet që përdoren nga Federata Ruse dhe elitat ruse, për t’iu shmangur sanksioneve.
Sanksionet përfshijnë ndërprerjen e reklamave perëndimore që transmetohen në tre prej stacione më të mëdha dhe më të njohura televizive të Rusisë, Channel One Rusia, Rusia-1 dhe NTV, të cilat sikurse thotë Uashingtoni, kanë qenë në ballë të përhapjes së dezinformatave rreth sulmit rus në Ukrainë, raporton VOA.
Ato përfshijnë gjithashtu ndalimin e firmave të kontabilitetit dhe konsulencës amerikane që të ofrojnë shërbime ndaj çdo shtetasi rus dhe më shumë kufizime në sektorin industrial të Rusisë.
Rusët e pasur janë mbështetur në ekspertizën e SHBA-ve për të krijuar të ashtuquajturat kompani guackë, që veprojnë në parajsa fiskale, për të zhvendosur pasuritë dhe burimet në vende të tjera, e për t’i fshehur ato nga autoritetet në mbarë botën, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Thesarit.
Përveç kësaj, kompanitë ruse, veçanërisht ndërmarrjet shtetërore, mbështeten në këto shërbime për të drejtuar dhe rritur bizneset e tyre, duke siguruar të ardhura për ekonominë ruse që po ndihmon në financimin e makinerisë luftarake të Vladimir Putinit.
SHBA-të vendosën gjithashtu sanksione edhe ndaj tetë anëtarëve aktualë dhe ata të futur rishtazi në bordin ekzekutiv të Sberbank, 27 drejtuesve të Gazprombank, një bankë që lehtëson shitjet e gjigantit energjetik rus Gazprom, dhe Bankës Industriale të Moskës, një bankë shtetërore ruse, e 10 prej filialeve të saj. Banka Industriale e Moskës ka lehtësuar transaksione për shërbimet e zbulimit rus, thuhet në deklaratën Departamentit të Thesarit.
SHBA-të kanë vendosur gjithashtu rreth 2600 kufizime për t’u pajisur me vizë, ndaj zyrtarëve rusë dhe bjellorusë, si dhe po zbatojnë një politikë të re kufizimi të vizave, ndaj zyrtarëve dhe autoriteteve ushtarake ruse, të dyshuar për abuzime me të drejtat e njeriut apo korrupsion.