Vendosni fjalën kyçe....

Si u përhapën në rrjet lajmet e rreme për “arrestimin” e zv.presidentit të Pfizerit nga një shkrim satirik


Ditët e fundit në Twitter ka bërë shumë bujë thashethemi se është arrestuar zv.presidenti i kompanisë “Pfizer”, Rady Johnson.

Sipas disa përdoruesve të Twitter-it, kjo ka ndodhur pas publikimit të një dokumenti të Pfizer-it, i cili dëshmon se vaksinat Pfizer nuk janë të sigurta për gratë shtatzëna ose që ushqejnë fëmijën me gji.

Lajmi u përhap edhe në disa media, por asnjë gazetë/portal i besueshëm i lajmeve nuk e raportoi arrestimin e zëvendëspresidentit të Pfizer.

 

Por cila ishte origjina e këtyre thashethemeve në rrjet?

Kjo nisi nga një shkrim satirik i publikuar më 6 Maj nga “Vancouver Times”. Portali raportonte se nënkryetari ekzekutiv i kompanisë farmaceutike ishte arrestuar dhe akuzuar për mashtrim.

 

Por Vancouver Times është një gazetë satirike e lajmeve që e përshkruan përmbajtjen e shkrimeve të saj kështu: “Vancouver Times është burimi më i besueshëm për satirën në Bregun Perëndimor. Ne shkruajmë histori satirike për çështje që prekin konservatorët.”

Edhe pse faqja e internetit thekson qartë, madje disa herë edhe në brendësi të shkrimit se përmbajtja e saj është satirike, pretendimi shkaktoi përhapjen e dezinformatave në lidhje me arrestimin e zv.presidentit të Pfizer-it.

Madje disa faqe nxituan të bëjnë lajme të dyta me tituj: “Pse u arrestua Rady Johnson? Shpjegimi i akuzave”.

 

Kujtojmë se “Pfizer” ka qenë në shënjestër të dezinformatave që nga fillimi i pandemisë së COVID-19 dhe akoma më shumë që nga fillimi i aksionit të vaksinimit. Drejtori i Përgjithshëm i saj, Albert Bourla, gjithashtu ishte vënë në shënjestër të shkrimeve se ishte arrestuar me akuzën për mashtrim.