Deputeti i PD-së Tritan Shehu ka një thirrje për kolegët e tij lidhur me draftin e propozuar nga Enkelejd Alibeaj për kriteret që duhet të ketë presidenti i ri.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehu u bën thirrje atyre të përbuzin të tilla “kinezërira” pasi sipas tij kjo letër kriteresh kërkon të vendosë në dyshim rolin dhe integritetin e tyre politik.
Sipas Shehut, këto “kritere” vlejnë vetëm për të zgjedhur Drejtuesin e OJQ së Ramës.
“Ato ‘kritere’ vlejnë vetëm për të zgjedhur Drejtuesin e OJQ së Ramës, asgjë me shumë.
Vlejnë edhe si një ‘gjethe fiku’ pikërisht për të fshehur nëpërmjet jush këtë të vërtetë.
Vlejnë për t’ju përdorur ju në këtë ‘krim’ politik, për të maskuar këtë sharlatanizëm të dhimbshëm, por që duhet përballuar tashmë me realizëm e vizion politik.”– shkruan Shehu.
Më pas shton se të pranosh sot ato “kritere të shkruara nga zyrat e Ramës”, është si të shkosh me këmbët e tua si dele te “kasapi”.
KOMENTI I PLOTË I SHEHUT
Deputetëve të nderuar, që morën mbrëmë një listë “kriteresh për zgjedhjen e Presidentit”!
Si një kolegu juaj dëshiroj t’ju vë në vëmendje faktin se ajo letër “kriteresh” që iu është dërguar, në fakt kërkon të vendosë në dyshim rolin dhe integritetin tuaj politik.
Jo thjesht si opozitarë, por dhe si deputetë në tërësi, ajo letër është për ne “kosh”.
Ajo është një tallje me ju, me parlamentarizmin, politikën, institucionin e Presidentit, vetë demokracinë të bazuar mbi ndarjen e pushteteve e rolin e tyre thelbësor.
Ato “kritere” vlejnë vetëm për të zgjedhur Drejtuesin e OJQ së Ramës, asgjë me shumë.
Vlejnë edhe si një “gjethe fiku” pikërisht për të fshehur nëpërmjet jush këtë të vërtetë.
Vlejnë për t’ju përdorur ju në këtë “krim” politik, për të maskuar këtë sharlatanizëm të dhimbshëm, por që duhet përballuar tashmë me realizëm e vizion politik.
Në fakt ne si PD e humbëm mundësinë për të influencuar në zgjedhjen e Presidentit që më 26 Prill, të nesërmen e zgjedhjeve.
Jo thjesht për faktin e rezultatit të tyre.
Por dhe për faktin e rëndë se mbas atij rezultati nuk u përgatit asnjë dosje denoncuese për ta paraqitur pranë partnerëve e institucioneve Europiane, siç bëri Berisha më 2001, por u rend mbas pozicioneve personale.
Të pranosh sot ato “kritere” të shkruara nga zyrat e Ramës, do të thotë të të bëjnë edhe “budalla”, është si të shkosh me këmbët e tua te “kasapi”, si dele!
Drejt një disfate tjetër edhe më të turpshme politike.
Në qoftë se ndonjë nga ju mendon se Rama respekton “Gentlemen agreement”, dëshiroj t’u kujtoj vetëm dy procese:
1- Qëndrimin e tij me 7 ligjet e reformës në drejtësi, mbasi mori në “mirëbesim” ndryshimet Kushtetuese.
2- Ndryshimet shkatërruese të Kodit Zgjedhor që bëri, mbasi iu “besua” atij për respektimin e marrëveshjes së asaj tavoline të rrumbullakët.
Dhe diçka e fundit, në qoftë se tellallet e këtyre “kritereve” të Ramës kërkojnë t’ju bindin se mbrapa qëndrojnë dhe “garantues” të sigurt, dëshiroj t’ju kujtoj përsëri:
– Ndryshimin 180 gradësh të “garantuesve” pikërisht midis asaj që ata premtonin me bujë përpara ndryshimeve kushtetuese, si dhe të asaj tavoline, me qëndrimin e tyre më tej.
Rezultatin ju e dini vetë, prandaj përbuzini të tilla “kinezërira”!