Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka thënë që çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën ka marrë fund.
Abazoviç është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi para dy javëve. Ai para se të zgjidhej kishte thënë se çdo çështje është e hapur në diskutimet me Kosovën, por tani ka thënë se ajo temë është mbyllur në momentin kur është nënshkruar.
“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë ai në Klan Kosova.
Abazoviç tha më tej se nëse në Kosovë duan ta gjejnë fajtorin, atëherë të shohin se kush ishte në pushtet në atë kohë duke përmendur Hashim Thaçin .
“Nuk e di pse është dashur të hapet një temë që është arkivuar më 2017. Nëse ekziston një dilemë, adresa është Hashim Thaci dhe njerëzit që kanë qenë në pushtet në atë kohë në Kosovë”, thotë ai.