Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda ka raportuar paraditen e sotme në Komisionin e Ligjeve mbi raportin vjetor të këtij institucioni.
Gajda u pyet nga Enkelejd Alibeaj për përdorimin e gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit të vitit 2021. Ai pranoi se gjuha e urrejtjes është përdorur nga të gjitha subjektet politike.
Sipas tij, gjuha e urrejtjes dhe e diskriminimit gjatë fushatës është evidentuar në një raport që po përpilon Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe që do i prezantohet Kuvendit në një moment të dytë.
“Ndërkohë që në zgjedhjet e 2 prillit, ajo që është konstatuar nga institucioni, është përdorur gjuhë urrejtje nga të gjithë subjektet politike dhe nga shumë aktorë politikë. Patjetër evidentohet dhe rasti i Kryeministrit ku komisioneri ka dalë me një deklaratë publike në lidhje me zgjedhjet.
Është kryer një monitorim i detajuar ku është Komisioneri, Avokati i Popullit, AMA dhe Këshilli Shqiptar i Medias. Është një raport që për shkak se vetë anëtarët e aleancës kundër gjuhës së urrejtjes kanë një mënyrë interpretimi nëse diçka do konsiderohet si një gjuhë urrejtje. Do publikohet. Po diskutohen si do klasifikohen fraza të ndryshme. Ne synojmë qëë jo të ketë aspekt ndëshkues, por parandalues. Që politikanët të kenë kujdes në zgjedhjet e ardhshme.”– tha Gajda.
Sjellim ndërmend se gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Rama u fokusua në sulmimin dhe ironizimin e “kundërshtarëve” të tij të opozitës duke i vendosur nofka të ndryshme. Gjë që opozita e ka konsideruar si bullizëm.