Brenda shumicës socialiste dy Erionët mendojnë ndryshe për çmimet e dhomave të hotelit dhe apartamenteve me rastin e finales së Conference League.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj mendon se fajin e ka algoritmi i renditjes së hoteleve në aplikacionet në internet dhe e quan një rritje normale.
“Dëgjova një të fundit kur thanë se “të gjithë ata që merren me hotele në Shqipëri janë spekulantë, shiko sa kanë vajtur çmimet për ndeshjen”. Por, e dini çfarë? Çmimet për një ndeshje të tillë do të shkonin po kaq kudo ku ajo të luhej. Pra, të njëjtët njerëz që para pak ditësh përhapnin panik se finalja do të luhej në një shtet tjetër dhe i gëzoheshin këtij “dështimi” të Shqipërisë, sot vajtojnë për çmimet në hotelet tona. Por, çmimet nuk i rrisin hotelet sepse në momentin kur ti futesh në aplikacione si Booking, Expedia apo Edreams, çmimi ndryshon në bazë të një algoritmi. Vërtet biletat e avionit fillojnë me 19 euro nëse e rezervoni të parët, por shkojnë 100 euro e deri në 300 euro nëse e lini për në orën e fundit”, tha Veliaj.
Por deputeti Erion Braçe në një reagim të tijin e quan zhvatje dhe kërkon ndërhyrjen e qeverisë për çmimet 1 mijë euro për një dhomë hoteli në natë dhe 1500-2000 euro për një apartament.
“1000 Euro një dhomë hoteli në Tiranë? 1500/2000 Euro një apartament në Tiranë?
Po turp a keni? Kjo është grabitje, zhvatje, një dem kolosal për atë që ne jemi dhe, ne nuk jemi të tillë!
Po e bëëjmë këtë turp ndaj njerëzve të dy vendeve që na kane mirëpritur prej 30 vitesh, Dyer hapur për çdokënd! Nuk po ju kërkon kush të hapni hotelet e shtëpitë e dyta e të treta falas; Asfare! Po kërkoj të ndalet kjo grabitje, kjo zhvatje! Kaq!”-shkruan Braçe.