Sali Berisha i është kundërpërgjigjur thirrjeve të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK-ut që të nisë hetimet pas shpalljes së tij “Non Grata” nga SHBA.
Pa kaluar akoma një orë nga konferenca për mediet e Ramës, edhe Berisha ka dalë në një konferencë me gazetarët ku u shpreh se deklaratat e Ramës për drejtësinë janë të denja për vende si Koreja e Veriut apo regjime komuniste.
“Prej disa javësh kreu i organizatës kriminale të hajdutëve të incenratorëve në një panik të jashtëzakonshëm merret me drejtësinë dhe kundërshtarët e tij politik. Shkaqet janë madhore, Edi Rama beson se me këto qëndrime të cilat shëmbëllejnë apo janë të denja për Korenë e Veriut, apo regjimin e etërve të tij ka disa synime. Më së pari të tërheqë vëmendjen e qytetarëve shqiptarë të cilët po përballen me vështirësi shumë të mëdha për shkak të kësaj qeverie e cila vetëm vjedh. Krijon vetëm mekanizma vjedhje.”- tha Berisha.