Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarja e “Al Jazeera”-s vritet në krye të detyrës, kolegët akuzojnë forcat izraelite


Një gazetare palestinezo-amerikane është qëlluar për vdekje teksa raportonte për “Al Jazeera”-ën mbi një bastisje të forcave izraelite në qytetin e pushtuar të Jeninit në Bregun Perëndimor.

Rrjeti me bazë në Katar tha se Sherine Abu Aqla, 51 vjeçe, u qëllua “qëllimisht” dhe “me gjakftohtësi” nga trupat izraelite. Edhe producenti i saj u qëllua dhe u plagos.

Mirëpo kryeministri izraelit tha se ishte “ka gjasa” që ata të ishin qëlluar nga persona të armatosur palestinezë gjatë një shkëmbimi zjarri.

Kjo ngjarje e rëndë vjen në mes të një rritje të dhunës midis Izraelit dhe palestinezëve.

Presidenti palestinez tha se ai e konsideronte qeverinë izraelite plotësisht përgjegjëse për këtë “ekzekutim” siç e quan ai vdekjen e gazetares.

Ushtria izraelite tha se ushtarët dhe forcat e saj të sigurisë kryen një bastisje në kampin e refugjatëve Jenin herët të mërkurën për të kapur “të dyshuarit për terrorizëm”.

“Gjatë aktivitetit, dhjetëra persona të armatosur palestinezë qëlluan dhe hodhën mjete shpërthyese drejt ushtarëve. Ushtarët u përgjigjën me zjarr ndaj personave të armatosur dhe u identifikuan goditjet.”- thuhej në njoftimin e ushtrisë sipas BBC.

Ministria palestineze e shëndetësisë tha se Sherine Abu Aqla u godit në kokë nga një plumb i vërtetë ndërsa ajo po raportonte mbi ngjarjen. Ajo u dërgua në spital në gjendje kritike dhe më vonë u shpall e vdekur.

Një tjetër gazetar palestinez, producenti i “Al Jazeera”, Ali Samoudi, u qëllua në shpinë dhe ndodhet në një gjendje të qëndrueshme në spital.

“Ne do të filmonim operacionin e ushtrisë izraelite dhe papritmas ata na qëlluan pa na kërkuar të largoheshim ose të ndalonim xhirimet.”- citohet të ketë thënë Samoudi. “Plumbi i parë më goditi mua dhe plumbi i dytë e goditi Sherinën. Nuk kishte fare rezistencë ushtarake palestineze në vendngjarje.”- shtoi ai.

Ali Samoudi

Ali Samoudi