Shkalla vjetore e inflacionit në Gjermani ishte 7.4 për qind në prill ndërsa 7.3 për qind në mars, njoftoi të martën Enti Federal i Statistikave i Gjermanisë (Destatis).
“Shkalla e inflacionit ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave për të dytin muaj radhazi që nga ribashkimi i Gjermanisë”, tha Georg Thiel, president i Destatis.
Në muajin mars, nxitësi kryesor i inflacionit ishin çmimet e energjisë ndërsa shkaktarët kryesorë të inflacionit në muajin prill ishin çmimet e energjisë dhe ushqimeve.
Çmimet e ushqimeve u rritën me 8.6 për qind muajin e kaluar dhe çmimet e energjisë 35.3 për qind.
“Ndikimi i luftës në Ukrainë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm”, tha Destatis.
Në nivel mujor, çmimet e konsumit u rritën me 0.8 për qind në muajin prill.