Bashkëthemeluesi i Microsoft-it Bill Gates ka njoftuar të martën pasdite se ai ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.
Filantropisti amerikan tha se do të izolohet derisa të jetë sërish i shëndetshëm.
“Kam rezultuar pozitiv me COVID. Po përjetoj simptoma të lehta dhe po ndjek këshillat e ekspertëve duke u izoluar derisa të jem sërish i shëndetshëm.”- ka shkruar ai.
Më pas në një postim tjetër shton: “Unë jam me fat që jam vaksinuar dhe kam marrë dhe dozën përforcuese dhe kam akses në testime dhe kujdes të madh mjekësor.”
Bill Gates ka qenë një përkrahës i fortë për përforcimin e masave për mbrojtjen ndaj pandemisë, veçanërisht aksesin në vaksina dhe ilaçe për vendet më të varfra.
Në janar, fondacioni i tij thuhet se dhuroi 1.75 miliardë dollarë për të luftuar pandeminë dhe zhvillimin e vaksinave për COVID-19. Fondacioni i Bill Gates dhe ish-bashkëshortes së tij Melinda është fondacioni privat më me ndikim në botë, me një fond prej rreth 65 miliardë dollarë.
Pak para Krishtlindjeve, Gates kishte njoftuar se ai kishte hequr dorë kryesisht nga planet e tij të pushimeve për shkak të variantit të fundit COVID-19, omicron, duke përmendur shqetësimet për përhapjen e tij të shpejtë.
Në atë kohë, Gates tha në një postim në Twitter: “Atëhere kur dukej se jeta do të kthehej në normalitet, ne mund të hynim në pjesën më të keqe të pandemisë”.