Vendosni fjalën kyçe....

Koncensionari i portit rrafshoi monumentin antik në Porto-Romano


Prej të paktën 16 shekujsh, një mur rrethues fortifikonte një rrip toke midis detit dhe kënetës në Porto-Romano, rreth 7 kilometra në veri të Durrësit, duke e mbrojtur nga zbarkimet e papritura të anijeve armike.

Monumenti i Kulturës njihet si “Muret e Portës” dhe mendohet të jetë ndërtuar në shekullin e V të Erës Sonë, që përkon me periudhën e sundimit të Perandorit Anastas. 

Nga fortifikimi i dikurshëm i periudhës së Antikitetit të Vonë kishin mbijetuar rreth 60 metra linear mur, si edhe një kullë katërkëndëshe – pjesë e trashëgimisë së mbrojtur të Shqipërisë. 

Por në fillim të prillit të këtij viti, nga monumenti i kategorisë së parë ishin rrafshuar rreth 25 metra mur, mbi të cilat ngrihej porta hyrëse, dikur e kuruar me qemer. 

Të dhënat e siguruara nga Media Amfora përmes vëzhgimeve në terren dhe kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se dëmtimi i murit antik nuk erdhi nga ndonjë sulm i anijeve armike, por nga punimet e kryera nga kompania koncesionare Porti MBM, që po ndërton një port hidrokarburesh dhe mallrash në PortoRomano.

“Aty ka qenë porta e hyrjes, nga ajo e ka marrë emrin. Shërbente për të gjithë komunikimin,” shpjegon për pjesën e rrafshuar të murit, Prof. Dr. Apollon Baçe, një nga autorët e një studimi të kryer në vitin 1975 për monumentin “Muret e Portës”. 

Të dhënat e siguruara nga Amfora tregojnë gjithashtu se shkatërrimi i monumentit të kulturës ishte i paralajmëruar dhe se një sërë institucionesh përgjegjëse bënë një sy qorr ndaj rrezikut që i kanosej atij. 

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, inspektoratit lokal i Bashkisë së Durrësit si dhe Policia e Shtetit nuk ndëhynë, ndonëse u kërkohej që prej korrikut të vitit 2020 që të ndalonin punimet pranë monumentit “Muret e Portës”. 

Infografikë ilustruese për linjën e shembur të monumentit: Geri Emiri/ Media Amfora

Kompania koncesionare Porti MBM – Multi Buoy Mooring është një bashkim operatorësh i udhëhequr nga konglomerati Kastrati Group, që zotëron paketën kontrolluese të aksioneve. 

Shoqëria koncesionare nuk ju përgjigj pyetjeve të Medias Amfora mbi rrafshimin e një pjese të murit antik deri në publikimin e këtij shkrimi. 

Shqetësimet për monumentin 

Monumenti i Kulturës i Kategorisë së Parë me status ruajtjeje që nga viti 1948 dhe që mbronte qytetin në antikitet, u rrafshua pjesërisht nga “Shoqëria koncesionare Porti MBM (Multi Buoy Mooring)”.

Në vitin 2015, Kuvendi i Shqipërisë miratoi koncesionin e formës BOT për ndërtimin e një porti hidrokarburesh në Porto-Romano si dhe operimin e tij për një periudhë 35 vjeçare. Kontrata u amendua sërish në vitin 2020, kur kompanisë Porti MBM iu dha gjithashtu e drejta e zgjerimit të aktivitetit si një port tregtar. 

Sipas projektit fillestar, punimet për ndërtimin e portit ishin disa metra larg monumentit të kulturës “Muret e Portës”, por gjithçka ndryshoi kur kompania koncensionare kërkoi të ndërtonte një dallgëthyes në vendin më të afërt të kodrës përballë, në anën jugore të portit. 

Në mars të vitit 2018, kërkesa e kompanisë shkaktoi shqetësim gjatë diskutimeve në Kuvend për shkak të rreziqeve që i kanoseshin monumentit. 

“Ndërtimi i këtij dallgëthyesi është shumë afër, asnjë metër larg në distancë nga monumenti i kulturës nr. 29 në inventarin e Ministrisë së Kulturës”, pyeti asokohe deputetja e opozitës, Fatbardha Kadiu, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. 

“A ka bërë kjo ministri një vlerësim, një leje apo një autorizim për ndërtimin e këtij dallgëthyesi në distancë me këtë monument kulture të shpallur nga Ministria e Kulturës?”, shtoi ajo sipas proces-verbalit të mbledhjes.

I pranishëm në mbledhje, Ledion Lako, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës tha se dy grupe ekspertësh kishin bërë vëzhgime, që sipas tij nuk kishin konstatuar gjetje arkeologjike nënujë dhe në tokë. 

Kompania kishte dëmtuar shtresat e murit me eskavator që më 26 gusht 2020. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Linja e rrafshuar e murit u fotografua në këmbë për herë të fundit nga ekipi i Medias Amfora më 1 dhjetor 2021. Teksa pjesa e mbetur e monumentit, përfshirë një kullë të fortifikuar u betonizua përqark dhe rrezikohet nga lëvizja e mjeteve të rënda.

Monumenti mendohet se u ndërtua si fortifikim për të kthyer qytetin e Durrësit gati në një ishull dhe ndërpriste lidhjen tokësore midis detit e lagunës.

“Po flasim për një nyje ku shkarkohet hidrovori, ku kemi një port, ku kemi historinë. Madje historinë e gjurmëve të para jetës në zonën e Durrësit dhe njëkohësisht flasim për vlera historike të larta”, tha Artan Kacani, planifikues territori. 

Ndërsa arkeologët theksojnë se monumenti i dëmtuar dhe e gjithë zona mbartin vlera të rëndësishme historike. 

“Që nga bregu në thellësi të ujit, deri në 1 metër, në një sipërfaqe prej pothuajse një hektar shtrihej një vendbanim i mbuluar nga uji dhe që identifikohej nga tjegullat tipike të shekullit IV Para Krishtit”, kujton kërkimet e tij përpara disa viteve, arkeologu Neritan Ceka.

“Në këto kodra janë gjetur banesa, tempuj, madje edhe arkaike, të shekullit V Para Erës Sonë. Një pjesë e qytetit zhvillohej edhe në këto zona,” shtoi arkeologu Apollon Baçe.

Pjesa e mbetur e monumentit, përfshirë një kullë të fortifikuar u betonizua përqark dhe rrezikohet nga lëvizja e mjeteve të rënda. Foto:  1 dhjetor 2021 – Geri Emiri/ Media Amfora

Institucionet bëjnë një sy qorr 

Media Amfora zbuloi se një pjesë e institucioneve shtetërore ishin në dijeni të punimeve që sollën shkatërrimin e monumentit antik në Porto-Romano dhe nuk ndërhynë në terren pas një kërkese të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë, DRTK. 

Më 27 korrik 2020, DRTK Tiranë i kërkoi Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Durrës, si edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të ndërhynin për të ndaluar punimet që po kryheshin në Zonën e Mbrojtur “Muret e Portës”.

“Ju lutemi, të merren masat e duhura nga ana juaj dhe të pezullohen punimet menjëherë, pasi veprimtaria ndërtimore mund të dëmtojë rëndë karakterin kulturor të zonës”, informoi tre institucionet, kreu i DRTK Tiranë, Olsi Plasa.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit Bashkia Durrës, sqaruan përmes përgjigjeve zyrtare se nuk kishin ndërmarrë asnjë inspektim për rastin. 

Peizazhi natyror i monumentit përpara nisjes së punimeve për ndërtimin e portit. Foto: Mars 2017 – Geri Emiri/ Media Amfora

Dëmtimi i pakthyeshëm i monumentit “Muret e Portës” nuk janë shqetësimi i vetëm mbi punimet që kompania koncesionare po kryen për ndërtimin e portit. Porto- Romano përbën edhe një pikë strategjike për Forcën Detare të Ushtrisë Shqiptare, e cila duket se është prekur gjithashtu nga punimet. 

Media Amfora zbuloi se ndaj koncensionarit janë depozituar 3 kallëzime penale në Prokurorinë e Durrësit, 2 prej të cilave morën vendimin e mosfillimit të hetimeve. Kallëzimi i tretë ndaj kompanisë Porti MBM është depozituar nga Komanda e Forcës Detare. 

“Gjatë kryerjes së punimeve për zhvillimin e Portit MBM, në afërsi të pronës kompania koncesionare ka bërë ndërhyrje të pjesshme në një pjesë të sipërfaqes dhe komponentëve të pronës nr. 219”, sqaroi Ministria e Mbrojtjes. 

Prokuroria e Durrësit shpjegoi se ka regjistruar procedimin penal me numër 1755/2020 dhe po vijon hetimin për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, për pronën e ushtrisë që gjendet pranë murit antik.

Prokuroria sqaroi gjithashtu se nuk kishte filluar hetime për një kallëzim të depozituar nga Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Durrës, si edhe për kallëzimin e depozituar nga Piro Bare, administratori i kompanisë tjetër koncensionare të portit më të hershëm të hidrokarbureve, Romano Port. 

Lidhur me pretendimet e kompanisë Romano Port, prokurori Pali Deçolli argumentoi në vendimin e mosfillimit se çështja po shqyrtohej nga Gjykata e Durrësit si çështje civile dhe për sa kohë vijonte, nuk mund të niste një hetim nga prokuroria pa u shprehur gjykata.

Pak javë më vonë, më 14 qershor, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës kallëzoi në prokurori koncesionarin e portit për të njëjtat punime të konstatuara pa leje.

“Inspektorët IMT Bashkia Durrës, gjatë kryerjes së detyrës kanë konstatuar punime ndërtimi, kollona betoni, kollona me konstruksion metalik, sistemim të territorit pa leje përkatëse, të kryera nga shoqëria MBM”, thuhet në vendimin e prokurores Teuta Rrudha.

Më tej rezulton se inspektorët kanë nxjerrë vendim për prishjen e objektit të kundraligjshëm dhe kanë gjobitur kompaninë koncensionare.

Megjithatë, prokurorja Teuta Rrudha ka argumentuar në vendimin e saj të mos nisjes së hetimit se kompania koncensionare kishte paraqitur vendimet e qeverisë shqiptare për miratimin e lejes për ndërtimin e portit.

Ndërsa Prokuroria e Durrësit po hetonte ende kallëzimin e Forcës Detare, në dhjetor 2021, eskavatorët e kompanisë rrafshuan një pjesë të monumentit të mbrojtur me ligj. 

Projekti po rrafshon kodrat e Porto-Romanos, duke rrezikuar edhe lagjen e banuar. Foto: 21 prill 2022 – Geri Emiri/ Media Amfora

Është prishur pikërisht porta që i ka dhënë edhe emrin vendit”, thotë arkeologu Neritan Ceka, i cili shton se ligji parashikon ndërhyrjen e prokurorisë për këtë rast si dhe procedimin e dëmtuesve. 

Prof. Dr. Apollon Baçe thekson gjithashtu se shkak për dëmtimin e monumentit është bërë mungesa e kontrollit të punimeve të kompanisë private. 

“Institucionet nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale”, tha arkeologu Baçe, dikur drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës Gani Strazimiri. 

Planifikuesi i territorit, Artan Kacani, thotë me keqardhje se monumenti i kulturës mund të ruhej nëse porti do të ishte projektuar të ndërtohej më në brendësi të territorit tokësor. 

“Mund të ruhej madhështia e murit si një hyrje e shpejtë e anijeve, si dikur, t’i kthehej ai lloj vëzhgimi Porto-Romanos, të shoqëroheshin anijet për në brendësi të territorit, të kthehej peizazhi panoramik”, përfundon analizën Kacani. 

Dëmtimi i trashëgimisë kulturore në këtë pjesë të qytetit të Durrësit u raportua edhe nga qytetarët përmes platformës “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” të Medias Amfora, duke evidentuar edhe humbjen e rrugës që dikur e lidhte zonën me Plazhin e Kallmit.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Amfora.al