Një grua 38-vjeçare nga Fieri nuk ka arritur të kalojë një sasi droge në Greqi, edhe pse ishte kujdesur që drogën ta fshihte mirë në trupin e saj
Policia ka njoftuar se në pikën kufitare të Kakavijës, autoritetet ushtruan një kontroll rutinë në autobusin e linjës Berat-Athinë, ku dhe zbuluan 10 pako drogë të fshehur në trupin e një gruaje.
Sipas “News 24” ajo është Elira Varfi. Ajo e kishte mbështjellë drogën me çorape, për t’u mos u zbuluar.
Tetë prej pakove ishin të mbushura me heroinë, me peshë totale 4 kg e 160 gramë, ndërsa 2 të tjera ishin plotësuar me kokainë, pesha e së cilës u llogarit 780 gramë.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia Kufitare intensifikon kontrollet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetase.
Sekuestrohen 8 pako me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, pas verifikimit të të dhënave në sistemin TIMS, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë pasagjerët e autobusit të linjës Berat-Athinë. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetases E. V., e cila udhëtonte si pasagjere në këtë autobus, është bërë e mundur gjetja e 10 pakove me lëndë të dyshuar narkotike, në 8 prej të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike heroinë(me peshë totale 4 kg e 160 gramë), ndërsa 2 pako kishin lëndë të dyshuar narkotike kokainë (me peshë totale 780 gramë.)
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. V., 38 vjeçe, banuese në Fier.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.