Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Manja: Kanë bërë miliardat, duhet të hetohen prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar dhe të dorëhequr nga Vettingu


Ministri Ulsi Manja gjatë fjalës së tij u ndal në procesin e Vettingut ku thotë se shumë prej gjyqtarëve janë dorëhequr për të mos kaluar në Vetting. Sipas tij ata duhen vendosur nën hetim.

“Dua t’ja nis me vetingun. Vetingu ka vlerësimin maksimal. Vetingu ishte mekanizëm për të pastruar llumin e gjyqtarëve nga sistemi i drejtësisë. Ja ka dalë me sukses.

800 gjyqtarë dhe prokurorë janë subjekte rivlerësimi. Në filtër kanë kaluar 530 gjyqtarë dhe prokurorë. Nëse vetingu është konceptuar si pastrim i drejtësisë, organet e tjera kanë përgjegjësinë për të hetuar deri në fund gjyqtarë dhe prokurorë që dolën nga sistemi për deklarim të rremë të pasurisë, deklarim të pjesshëm apo të rremë të pasurisë. Ku është shqetësimi ynë sot dhe në vazhdim? Nga 530 gjyqtarë dhe prokurorë, 197 prej tyre janë shkarkuar për deklarim të rremë, deklarim të pjesshëm, fshehje pasurie dhe mungesë burimesh financiare.

51 të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të procesit të vetingut. Në këto 50 që janë tërhequr, ka një shqetësim, 27 kanë dhënë dorëheqjen pasi kanë marrë vlerësimet nga KPK. 

Ndërsa pjesa tjetër ka dhënë dorëheqjen pas marrjes së vlerësimit, por nuk dihet fati i tyre. Ju e dini shumë mirë që ka vend dhe për ushtrimin e ndjekjes penale. Po t’u referohemi këtyre afateve. Për deklarim të rremë, për afro 22 gjyqtarë dhe prokurorë që janë larguar, referuar kohës kur është konstatuar ky fakt, për shkak të mosveprimit penal, rrezikon të shuhet. 

Një pjesë e gjyqtarëve të niveleve të ulëta, për këto vepra, janë subjekte të prokurorisë të zakonshme. Ndërsa për korrupsion e ka SPAK, ndërkohë që rrezikojnë të mos hetohen për shkak të kalimit të afateve. Për çfarë e bëmë këtë proces ne, që të shkarkojmë disa gjyqtarë dhe prokurorë nga puna?  Jo. Thelbi ishte rritja e besimit tek drejtësia. Nuk duam që besimi i drejtësisë së re të bjerë në nivelin që ishte. Ne rrezikojmë të shkojmë në pikën zero.” – tha Manja.

Më tej ai rendit listën që e quajti ‘top-lista” me prokurorë e gjyqtarë të shkarkuar nga Vetingu, pasi nuk justifikuan pasuritë e ndërtuara gjatë karrierës së tyre.

Manja tha se ka ardhur koha që të kryhen hetime dhe të zbardhet e vërteta.

“Po ju jap disa shifra, kjo është e dhimbshme, rezulton se nga 197 prokurorë e gjyqtarë të larguar dhe 450 të dorëhequr nga frika e vetingut, po u rendis top listën e 10 gjyqtarëve dhe prokurorëve që kryesojnë listën dhe mua askush s’më thotë dot pa e hetuar drejtësia e re, se nga e kanë vënë këtë pasuri që nuk e justifikojnë dot.

Subjekti i parë me 857 mln lekë të vjetra të pajustifikuara, ose 714 euro, që në jetën e vet ka bërë vetëm punën e prokurorit, ta hetojë drejtësia e re sepse për këtë e ngritëm.

800 mln lekë të vjetra subjekti i dytë, ky jo vetëm mungesë burimesh por ka ngel dhe te pastërtia e figurës, lidhje me botën e krimit të organizuara.

691 mln lekë të vjetra tjetri.

600 mln lekë të pa justifikuara, por ky rezulton i lidhur me subjektin e pestë, se janë bashkëshortë, 550 mln lekë të vjetra ka bashkëshortja.

460 mln lekë tjetri dhe e mbyll i 10 në listë me 129 mijë euro.

Doni më apartamente?

13 apartamente, shpi, dyqane, vilë, është larguar nga vetingu.

Tjetri 3 vila, janë vendime këto nuk po i them unë.

10 pasuri tjetri, ndërsa një subjekt tjetër jo vetëm që ka deklarim të rremë dhe mungesë burimesh por ka ndërtuar dhe vilë pa leje në tokën e dikujt tjetër, dhe më lejoni miq, se ne kemi një kuadër ligjor të ashpër për ndërtimet pa leje, drejtësia jonë e re ka dënuar dhe për një avlli pa leje, ky ka kryer dhe vepër penal. Po kjo pse nuk fillon kryesisht? Të qepen mbrapa me shku një kallëzim me të kap 22 prokuroritë e vendit për ndërtim pa leje dhe në fshatin më të thellë, me rrënje e degë ta zbardhin çështjen për katër ditë.

Ky është shqetësimi ynë lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi, por jo vetëm me performancën e institucioneve të reja të drejtësisë, por me nevojat tona si shtet në kuadër të BE se në gjitha dokumentet e BE, thuhet ‘të hetohen gjyqtarë e prokurorë të larguar nga vetingu, luftë kundër krimit dhe korrupsion’.

Nuk mund të rrezikojmë më që aspiratat e shqiptarëve për drejtësi të pavarur t’i rriskojmë sepse drejtësia e e re heziton të kryejë funksionet kushtetuese dhe ligjore, u kemi garantuar pavarësinë, me shumë dëshirë dhe të gjithë trajtimin e mundshëm financiar, por tani është koha qytetarëve shqiptarë tu kthejmë mbrapsht me hetime zbardhjen e të vërtetës, t’u japim përgjigje.”- tha Manja.