Vendosni fjalën kyçe....

Nuk kaloi dot në finale, reagon Ronela Hajati: Unë e fitova “Eurovision”-in sepse fitova publikun


Ronela Hajati nuk arriti dot të kualifikohet në finalen e madhe të Eurovisionit që mbahet në Torino të Italisë.

Pas këtij zhgënjimi, këngëtarja shqiptare ka reaguar përmes një postimi në “Instagram” ku ndan një foto me balerinët që e kanë shoqëruar gjatë performancës.

Në mesazhin krahas fotos, duket sikur edhe vetë Ronela e dinte që ky mund të ishte rezultati, pasi shprehet e bindur se edhe sikur të kalonte në finale do të dilte e fundit. Megjithatë ajo shton se e ka fituar Eurovizionin e saj, pasi ka fituar publikun.

“Edhe sikur të isha në finale do të isha e fundit, e di! Por sasia e dashurisë që kam marrë është e madhe! Unë fitova Eurovizionin sepse fitova publikun! Dhe ata kanë gjithmonë të drejtë! Ju DUA.”- shkruan Ronela.

Kënga “Sekret” e Ronelës në fakt ka marrë një mbështetje të madhe në rrjetet sociale, pasi artistja shqiptare ka qenë më e komentuara dhe më e ndjekura. Kjo për shkak të performancës potente dhe veshjes provokuese, megjithëse ka marrë gjithashtu edhe kritika për këtë.

Pas publikimit të rezultateve, fansat e Ronelës janë ankuar në llogarinë zyrtare të kompeticionit në “Instagram” dhe “Youtube” ku e konsiderojnë të padrejtë moskualifikimin e Shqipërisë në finale.