Kryeministri Edi Rama u pyet gjatë konferencës së sotme për mediet lidhur me reagimin e ambasadores amerikane Yuri Kim për sulmet e tij ndaj SPAK-ut.
“A e quani ju leksion në gjuhë të huaj këtë qëndrim të ambasadores amerikane kur thotë se reforma në drejtësi do jetë e suksesshme kur të mos mendojmë se është e përshtatshme që drejtuesit politikë në pushtet ose jo të thonë se drejtësia shërbehet kur tjetri shkon në burg apo drejtësia nuk jepet kur nga ana ime përfundon në burg?”– ishte pyetja që iu drejtua.
Por Rama theksoi se edhe pse ësht dakord me ambasadoren, mesazhi i saj është dërguar në adresën e gabuar pasi atij nuk i bën dot askush leksion as në shqip e as në anglisht.
“Jam shumë dakord me këtë, pikë për pikë thjesht adresa është gabim se nuk jam unë ky që them se drejtësia po gabon se po vjen te ana ime. Unë po them që si po vjen në anën tonë të shkojë dhe në anën tjetër, ne duam drejtësi 360 gradë.
Jam shumë dakord me ambasadoren amerikane nuk kam asnjë dalim këtu, ku e shihni ju dallimin? Po flas për ndërhyrjet, për ndërhyrje për presion, këtë mua nuk ma thotë dot askush as anglisht, as shqip, as gjermanisht, as frëngjisht, fare!”- tha Rama.
Kujtojmë se ambasadorja Kim reagoi pas kritikave të Ramës ndaj SPAK-ut duke u shprehur se reforma në Drejtësi do jetë e suksesshme kur drejtuesit politikë në pushtet ose jo, të mos kërkojnë të hetohet kundërshtari i tyre politik dhe të thonë që drejtësia shërbehet vetëm kur tjetri përfundon në burg.
“Të mos mendojmë që është e përshtatshme që drejtuesit politikë në pushtet ose jo, të thonë se drejtësia shërbehet vetëm kur tjetri përfundon në burg dhe drejtësia nuk funksionon kur ana ime përfundon në burg.
Ta zbatojmë reformën në drejtësi, ne nuk duhet të vazhdojmë me drejtësinë e të shkuarës. Drejtësia e cila duhet të ndërtohet në Shqipëri duhet të jetë drejtësia me standardet e Evropës Perëndimore. Kërkesat e BE-së janë të qarta, mendoj që veprimet e SHBA-ve gjatë 30-viteve të fundit e bëjnë të qartë se mbështetja për shtetin ligjor në Shqipëri janë më të forta se kurrë. Po aq të qarta janë dhe prirjet e njerëzve. Ju nxis të veproni. Është koha që të ecim përpara. Është koha Të krijojmë një drejtësi e cila është e verbër dhe e drejtë.”– shprehej Yuri Kim.